“`html
Avokati i Tatimpaguesve trajtoi 298 ankesa në vitin 2025, me shumicën dërrmuese për DIVA-n
Deklarata e të Ardhurave Individuale (DIVA) ka qenë shkaku kryesor i një numri të konsiderueshëm ankesash pranë Avokatit të Tatimpaguesve gjatë vitit 2025. Sipas raportit vjetor të kësaj zyre, janë trajtuar gjithsej 298 ankesa, duke përfshirë ato elektronike dhe zyrtare.
Pas vlerësimit dhe shqyrtimit të përmbajtjes së tyre, janë pranuar për trajtim shkresërisht 136 raste. Këto çështje kanë vazhduar të shqyrtohen me qëllim gjetjen e zgjidhjeve për problemet e parashtruara nga tatimpaguesit. Në përfundim, në bashkëpunim me administratën tatimore, 48 raste kanë gjetur zgjidhje, ndërsa 88 raste janë refuzuar për shkak të mungesës së kompetencës ose mosplotësimit të kritereve paraprake.
Gjithashtu, 134 raste janë trajtuar në rrugë elektronike. Kjo shifër lidhet drejtpërdrejt me numrin e lartë të ankesave të lidhura me DIVA-n gjatë tremujorit të parë të vitit 2025.
Raporti thekson se nga ankesat e trajtuara lidhur me DIVA-n, është konstatuar se mbi 40 mijë individë tatimpagues nuk kanë deklaruar detyrimin tatimor për vitin 2024, kryesisht për shkak të mungesës së informacionit mbi këtë detyrim. Kjo kategori tatimpaguesish rezulton më e “cenueshme” në krahasim me personat fizikë apo juridikë të tjerë, për sa i përket njohjes, kuptimit dhe zbatimit të legjislacionit tatimor.
Gjithashtu, konstatohet se ende nuk kanë gjetur zgjidhje rastet e gabimeve njerëzore të lindura gjatë procesit të verifikimit për të deklaruar apo jo detyrimin, apo gjatë plotësimit të formularit përkatës. Këto gabime njerëzore janë evidencuar në situata ku individi ka hyrë në llogarinë personale në sistem:
- Dhe ka zgjedhur një vit të ndryshëm nga ai për të cilin ka detyrimin tatimor, duke marrë për pasojë një penalizim automatik nga sistemi për mosdeklarim në afat.
- Dhe ka klikuar në një vit të caktuar për të verifikuar nëse ka qenë subjekt i deklarimit për DIVA-n, edhe pse nuk rezulton i tillë, duke marrë sërish penalizim automatik nga sistemi për mosdeklarim.
Raporti argumenton se sistemi ka gjeneruar automatikisht penalitete të cilat, sipas vlerësimit të tyre, janë të padrejta dhe joproporcionale. Ligji procedural tatimor parashikon sanksione administrative për rastet e deklarimit të gabuar, jashtë afatit apo jo të saktë të detyrimit. Megjithatë, rastet e konstatuara nuk parashikohen në ligj si shkelje me pasojë penalizuese, por rrjedhin nga një gabim i paqëllimshëm. Ky gabim shkaktohet nga mënyra se si sistemi është projektuar, i cili:
- Së pari, nuk njofton tatimpaguesin për pasojën e mundshme.
- Së dyti, nuk shmang gjenerimin e penaliteteve automatike të panevojshme në raste të tilla.
Një tjetër konstatim i rëndësishëm ka të bëjë me zbatimin e masave shtrënguese për mbledhjen e detyrimeve të papaguara tatimore ndaj individëve të punësuar, të cilët janë subjekte të DIVA-s. Nga ankesat e paraqitura dhe takimet me Drejtorinë e Menaxhimit të Debive dhe Masave Përmbarimore (DMDTP), është rezultuar se gjatë ekzekutimit të masës së bllokimit të llogarive bankare, bankat kanë mbajtur shumën e plotë të detyrimit tatimor, e cila ka përkuar me pagën e plotë të tatimpaguesit. Raporti thekson se, referuar rregullave procedurale të parashikuara në nenin 533 të Kodit të Procedurës Civile, edhe në rastet e ekzekutimit të vendimeve gjyqësore në të holla përmes shpërblimit përmbarimor, përcaktohet detyrimi i organit ekzekutues për të mos prekur minimumin jetik të individit/familjes së tij/saj.
“`
