“`html
Ngec sërish e-Albania, bizneset detyrohen të bëjnë “rojë nate”
Edhe pse shqiptarët përdorin shërbimet online të e-qeverisjes më shumë se mesatarja e Bashkimit Europian, duket se kjo ndodh për shkak të nevojës për të provuar disa herë brenda një dite për të marrë shërbimin, dhe me fat ndoshta, për ta marrë atë.
Për të paktën një javë, tentativat e bizneseve për të kryer procedurat e nevojshme nëpërmjet platformës e-Albania gjatë ditës kanë qenë të shpeshta por pa rezultat. Kjo situatë po i detyron ata të jenë të lidhur gjatë gjithë kohës për të përmbyllur veprime që duhet të ishin të thjeshta.
Shqetësimi për vonesat dhe pengesat në platformën e-Albania, e cila përdoret për kryerjen e procedurave administrative dhe ngarkimin e certifikatave, vjen sërish nga bizneset dhe kontabilistët. Ata pohojnë se nuk po arrijnë të kryejnë as ndryshimet dhe shërbimet më të thjeshta. Madje, këto veprime nuk mund të kryhen gjatë orarit normal, pasi platforma shpesh reagon vetëm në orët e vona të mbrëmjes.
Një nga bizneset raportoi se platforma nuk po funksionon si duhet prej javës së kaluar dhe përdoruesit detyrohen të qëndrojnë të lidhur gjatë gjithë ditës për të përfunduar proceset e thjeshta.
“Nuk po arrijmë të veprojmë as për ndryshimet më të thjeshta, si për shembull ngarkimi i certifikatës. Vetëm në orët e vona të darkës arrijmë të kryejmë ndonjë procedurë”, tha një nga përfaqësuesit e bizneseve.
Një tjetër shtoi: “Duhet të rrish vetëm në e-Albania që të mund të mbyllësh diçka. Situata ka qenë e tillë prej një jave.”
Bizneset paralajmërojnë se ngadalësimi i e-Albania do të ndikojë negativisht në aktivitetin e tyre të përditshëm, duke sjellë shtim kostosh dhe shpërqendrim nga objektivat.
Kjo nuk është hera e parë që bizneset në vend hasin probleme me mosfunksionimin e shërbimeve online, përfshirë platformat e-Albania dhe Selfcare. Për javë të tëra, sistemi self-care, i cili përdoret gjerësisht nga bizneset, nuk ishte funksional, duke penguar aktivitetin e tyre.
Disa ditë më parë, probleme u shfaqën edhe me shumë faqe qeveritare me prapashtesën .gov.al, të cilat nuk arritën të hapeshin.
Probleme hasin edhe individët. Një qytetare nga jashtë shtetit, e cila kërkoi të identifikohej si Elona, shprehet se po tenton të ngarkojë lejen e legalizimit për të aplikuar për certifikatën e pronësisë, por kjo është e pamundur për shkak të ngadalësisë së sistemit. “Do ta provoj sërish në mbrëmje”, thotë ajo.
“`
