Projekti për energjinë solare në Belsh, me vlerë rreth 40 milionë euro
Ministria e Financave ka dërguar për ratifikim në Kuvend projektligjin për miratimin e Marrëveshjes së Garancisë mes Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH). Kjo marrëveshje lidhet me Marrëveshjen e Huasë mes Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) për financimin e Projektit Fotovoltaik Solar.
Ministri i Financave, Petrit Malaj, ka shpjeguar se ky projekt do të financohet nga një hua prej 30 milionë euro nga BERZH dhe një grant prej 9.58 milionë euro, i siguruar nga Instrumenti i Investimeve të Ballkanit Perëndimor (WBIF). Kjo, sipas tij, do të ulë ndjeshëm koston e projektit dhe do të përmirësojë qëndrueshmërinë financiare të investimit.
Malaj ka theksuar rëndësinë e diversifikimit të burimeve të prodhimit të energjisë në Shqipëri, duke pasur parasysh se vendi e siguron energjinë kryesisht nga burimet hidrike. Ai përmendi ndryshimet klimatike dhe periudhat e thatësirës si arsye për nevojën e diversifikimit, duke nënvizuar rëndësinë e politikave që nxisin investimet private në këtë sektor.
Ministri sqaroi se aktualisht në operim janë rreth 600 MW kapacitete të reja gjeneruese që përdorin diellin dhe rreth 400 MW kapacitet i ri gjenerues që përdoret nga vetëprodhuesit e energjisë elektrike. Në rastin e parë, sigurohen të ardhura më të larta për ekonominë dhe më shumë vende pune, ndërsa në rastin e dytë, reduktohen kostot e faturave dhe menaxhohet më mirë konsumi vendas, sidomos gjatë sezonit turistik.
Një tjetër aspekt që thekson rëndësinë e këtij projekti lidhet me tranzicionin energjetik, ku Shqipëria synon të rrisë sigurinë e furnizimit dhe të ulë varësinë nga prodhimi hidrik. Ky projekt gjithashtu mundëson diversifikimin e portofolit të aseteve gjeneruese të KESH sh.a., duke rritur kapacitetin prodhues dhe sigurinë teknike e financiare për të plotësuar nevojat e konsumit.
Malaj deklaroi se ndërtimi i një impianti fotovoltaik me kapacitet 50 MWp në zonën e Belshit, një rajon me potencial të lartë diellor, përfaqëson një hap strategjik drejt modernizimit dhe rritjes së kapaciteteve të prodhimit bazuar në energjinë e pastër. Duke u shtrirë rreth 8 kilometra nga nënstacioni i Kajanit, impianti do të shfrytëzojë potencialin e lartë të rrezatimit diellor.
Mbështetja nga BERZH dhe granti i WBIF e bën projektin më të sigurt, më të qëndrueshëm dhe në përputhje me objektivat kombëtare. Me ndërtimin e tij, pritet të sigurohet rreth 1% e prodhimit vjetor të energjisë, ose rreth 2% e konsumit në tregun e rregulluar. Këto shifra do të kontribuojnë në rritjen e sigurisë së furnizimit, uljen e varësisë nga importi dhe rritjen e kapaciteteve menaxheriale të rezervës hidrike të kaskadës së Drinit.
