Enj. Nën 22nd, 2018

Projektet prioritare të qeverisë, infrastruktura hekurudhore, detare dhe ajrore

TIRANË, 10 nëntor .- Zv.ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Artan Shkreli tha sot se projektet prioritare të qeverisë në infrastrukturë, krahas asaj rrugore përfshijnë edhe atë hekurudhore, detare dhe ajrore.

I pranishëm në takimin që u zhvillua në Vlorë ku u prezantua buxheti i vitit 2019 për Infrastrukturën, Shkreli theksoi se, qeveria ka ndërmarrë investime të rëndësishme në sektorin detar.

“Kemi përfunduar punimet në portin e Shëngjinit. do të fillojmë investimin në portin e Durrësit duke liruar hapësirat për ankorimin e kroçerave dhe po punojmë në portin e Vlorës për terminalin e ri dhe kalatën lindore, që krijon hapësira për ankorimin e trageteve”, – tha ai.

“Bashkë me ndërtimin e kalatës së re në portin e Sarandës në vitin 2019, Shqipëria shndërrohet në një vend me infrastrukturë bregdetare bashkëkohore”, – theksoi Shkreli.

Sipas tij, 2019 është vit i rëndësishëm edhe për hekurudhat shqiptare.

“Do të rikthejmë hekurudhat në të gjitha qytetet që kanë qenë më parë. Ndërsa hekurudhat do të jenë në funksionim jo vetëm për mallrat, por edhe për njerëzit. Po punohet për linjën hekurudhore Lin-Pogradec dhe nga Durrësi në Elbasan – Pogradec.

Ndërsa është në përfundim hekurudha Fier-Vlorë.

Për sa i takon transportit ajror, tha ai, nga një sistem monocentrik Shqipëria shndërrohet me 3 pika kryesore, që janë aeroporti i Rinasit, i Vlorës dhe i Kukësit. Ndërsa do të ketë edhe aeroporte të vogla me impakt turistik. /e.xh/e.caushi/

Kategori