Projekti TID Durrës: Dakordësi Arrihet me Banorët

Projekti TID nuk ndalet

Ka përfunduar takimi i Kryeministrit Edi Rama me banorët e Durrësit të cilët preken nga projekti TID.

Në një deklaratë për mediat, Rama theksoi se është arritur dakordësia me 34 nga familjet që kanë shprehur kundërshtime ndaj projektit. Ai u shpreh i bindur se pavarësisht gjithçkaje, projekti nuk do të ndalet dhe se vetëm disa banesa, për të cilat dyshohet se kanë vlera kulturore, do të jenë objekt verifikimi.

“Me 34 qytetarë të Durrësit, përfaqësues të familjeve, kemi folur rreth 2 orë e gjysmë. Biseda ka qenë konstruktive, me opinione të ndryshme. 35 të tjerë atje, që nuk përfaqësojnë qytetarët apo qytetin, por vetëm hallin e një 80-vjeçari, krijojnë situata qesharake që tregojnë ku është katandisur ajo farë partie. Sa i përket problemit të vërtetë, ramë dakord se si do të ecim përpara, qoftë me verifikimin e nevojshëm për disa objekte që mund të kenë vlera të trashëgimisë kulturore. Prishje do të ketë, projekti nuk do të ndalet, por duhet një verifikim për disa shtëpi që mund të kenë vlerë kulturore. Janë edhe disa prona që nuk kanë marrë hipotekë, edhe pse janë atje prej kohësh”, tha Rama.

Projekti TID është një nismë e qeverisë shqiptare që synon kthimin e zonës arkeologjike të qytetit në një park të madh urban. Bashkia e Durrësit ka njoftuar se më 16 shkurt banorët duhet të largohen vullnetarisht nga banesat e tyre për të vijuar me realizimin e Projektit TID.

Scroll to Top