Projektligji i ri për kontabilitetin: nga raportimi për qëndrueshmërinë tek transparenca fiskale
Ministria e Financave ka propozuar një projektligj të ri për kontabilitetin, i cili sjell disa ndryshime në ligjin aktual nr. 25/2018. Drafti, aktualisht në fazën e konsultimit, përqendrohet kryesisht te raportimi financiar, përgjegjësitë e drejtuesve dhe rritja e transparencës.
Sipas relacionit që shoqëron projektligjin, synimi kryesor është adresimi i mangësive të konstatuara gjatë zbatimit të ligjit ekzistues dhe përmbushja e detyrimeve të reja të Bashkimit Europian lidhur me raportimin financiar, qëndrueshmërinë dhe transparencën fiskale.
Raportimi për qëndrueshmërinë
- Një ndryshim thelbësor është formalizimi i raportimit për qëndrueshmërinë, në përputhje me Direktivën (BE) 2022/2464.
- Ky detyrim do të zbatohet vetëm për subjektet shumë të mëdha, të cilat tejkalojnë mesatarisht 1,000 punonjës dhe kanë të ardhura neto prej 450 milionë euro.
- Hyrja në fuqi e këtij detyrimi do të bëhet gradualisht, deri në vitin 2028.
- Raportimi i qëndrueshmërisë do të kërkojë nga kompanitë dhënien e detajeve mbi ndikimet mjedisore, sociale dhe të qeverisjes (ESG), duke përfshirë aspektet e korrupsionit dhe ndikimit social.
- Për të mbrojtur subjektet më të vogla nga kërkesat joproporcionale, projektligji vendos kufizime për informacionin e kërkuar në zinxhirin e vlerës.
Përmirësimi i cilësisë së raporteve financiare
- Një tjetër qëllim i projektligjit është përmirësimi i cilësisë dhe krahasueshmërisë së raporteve financiare.
- Shqipëria ka përafruar legjislacionin e saj me Standardet Ndërkombëtare të Raportimit Financiar (IFRS) që nga viti 2008, duke i aplikuar ato edhe për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme.
- Projektligji i propozuar synon të ngrejë më tej nivelin e raportimit dhe përputhshmërinë me standardet ndërkombëtare.
Transparenca fiskale
- Një risi tjetër është futja e detyrimit për raportimin publik të tatimit mbi të ardhurat (Country-by-Country Reporting), në përputhje me Direktivën (BE) 2021/2101.
- Ky raportim do të zbatohet për subjektet që operojnë në më shumë se një juridiksion dhe kanë të ardhura të konsoliduara mbi 750 milionë euro gjatë dy periudhave raportuese të fundit.
- Qëllimi i këtij detyrimi është rritja e transparencës fiskale dhe reduktimi i shmangies tatimore.
Ndryshime teknike dhe qartësuese
- Projektligji përfshin gjithashtu ndryshime teknike dhe qartësuese për konsolidimin e pasqyrave financiare, eliminimin e detyrimeve të panevojshme dhe unifikimin e terminologjisë ligjore.
- Këto ndryshime synojnë të rrisin sigurinë juridike dhe lehtësinë e zbatueshmërisë së ligjit.
