Projektligj i ri për donacionet dhe sponsorizimet: Regjistri Kombëtar pranë Tatimeve, me akses për të gjithë
Qeveria ka hartuar një projektligj të ri për donacionet dhe sponsorizimet, i cili synon të zëvendësojë ligjin ekzistues të vitit 1994, të rishikuar gjatë viteve. Ministri i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, në bashkëpunim me Ministrin për Turizmin, Kulturën dhe Sportin, kanë nxjerrë këtë draft për konsultim. Sipas relacionit që e shoqëron, theksi kryesor vihet te rritja e transparencës dhe llogaridhënies së institucioneve në rastet e pranimit të donacioneve.
“Projektligji për donacionet dhe sponsorizimet është një ligj kuadër që synon të rrisë transparencën dhe llogaridhënien e organeve publike kur pranojnë donacione dhe sponsorizime, si dhe të nxisë sponsorizimet në Shqipëri në fusha që përbëjnë interes publik. Për organizatat jofitimprurëse, me qëllim mbrojtjen e interesit publik, projektligji ka një fokus më të ngushtë, duke përcaktuar rregulla vetëm në rastin e lidhjes së kontratave të sponsorizimit; ai nuk prek donacionet apo grantet që organizatat jofitimprurëse mund të përfitojnë. Ky parim vlen gjithashtu kur përfitues janë organizatat sportive, shoqëritë sportive, subjektet tregtare në fushën e prodhimit të filmit dhe industrisë audiovizive, si dhe individët në fushën e kulturës, artit, sportit, në rastet kur përfaqësojnë Republikën e Shqipërisë në nivel ndërkombëtar”, thuhet në relacion.
Relacioni nënvizon fushat e zbatimit për donacionet dhe sponsorizimet e veprimtarive publike, siç janë:
- Shërbimet sociale dhe veprimtaritë humanitare në mbështetje të grupeve në nevojë;
- Artin, kulturën dhe mbrojtjen e trashëgimisë;
- Zhvillimin dhe edukimin e fëmijëve dhe të rinjve;
- Shëndetin publik dhe kujdesin shëndetësor;
- Mbrojtjen e mjedisit dhe të klimës;
- Sporti dhe edukimi fizik;
- Shkenca, inovacioni dhe transformimi digjital;
- Të drejtat e njeriut dhe barazia gjinore.
“Pavarësisht synimit për të vendosur një kuadër të unifikuar rregullash për organet publike në rastet e pranimit të donacioneve ose sponsorizimeve për realizimin e veprimtarive me interes publik, projektligji parashikon shprehimisht se nuk zbatohet në rastet kur ligje të posaçme përmbajnë rregullime të ndryshme për donacionet e organeve publike, si dhe për donacionet që rrjedhin nga veprimtaria e institucioneve publike ndërkombëtare. Po ashtu, për shkak të rregullimeve të veçanta nga kuadri ligjor në fuqi, sindikatat dhe partitë politike nuk janë subjekte të këtij ligji. Nga ana tjetër, ky projektligj nuk krijon mbivendosje me kuadrin ligjor në fuqi për pastrimin e parave, luftën kundër terrorizimit apo parandalimin e konfliktit të interesave. Ai përforcon masat e integritetit dhe përmban një sërë rregullash që synojnë të rrisin transparencën dhe besimin e qytetarëve te organet publike”, thuhet në relacion.
Sipas draftit, për herë të parë parashikohet që Shqipëria të ketë një Regjistër Elektronik Kombëtar për Donacionet dhe Sponsorizimet. Ky regjistër do të jetë i aksesueshëm nga publiku në çdo kohë, në faqen zyrtare në internet të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, për të dhënat që lidhen me donacionet dhe sponsorizimet e organeve publike. Organet ligjzbatuese, me kompetenca në luftën kundër pastrimit të parave, korrupsionit dhe terrorizmit, do të kenë akses të pakufizuar në Regjistër për të dhënat që lidhen si me organet publike, ashtu edhe me subjektet e tjera përfituese të sponsorizimeve, donatorët e organeve publike dhe sponsorizuesit.
