Prokurori Çardaku merr 70% pagë, pavarësisht shkarkimit dhe moshës

Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) vendosi me 9 vota pro dhe dy kundër t’i miratojë prokurorit Lazër Çardaku kërkesën për të mbajtur statusin e magjistratit edhe tre vjet pas moshës së pensionit, pavarësisht se është shkarkuar nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK) që prej nëntorit 2024.

Relatori i çështjes, Sokol Stojani, parashtroi se prokurori Çardaku, i cili ka mbushur moshën e pensionit 67 vjeç, ka kërkuar të qëndrojë në detyrë deri në moshën 70 vjeç. Sipas ligjit, magjistrati del në pension pleqërie në moshën 67 vjeç, por me kërkesën e tij, mund të vazhdojë të qëndrojë në detyrë deri në moshën 70 vjeç.

Stojani theksoi se prokurori Çardaku është shkarkuar nga KPK dhe po pret shqyrtimin e ankimit të tij në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit (KPA). Ai gjithashtu vërejti se Çardaku është i pezulluar nga detyra dhe nuk jep kontribut në sistemin e drejtësisë. Stojani shprehu kundërshtinë e tij, duke argumentuar se “Po përdoret shteti si lopë. Një njeri që nuk jep kontribut, nuk mund të paguhet.” Ai shtoi se duhet të bëhet një projekson për njerëzit që dalin në pension.

Nëntë anëtarë të Këshillit e konsideruan ligjore kërkesën e Çardakut, ndërsa Stojani u mbështet vetëm nga anëtari Erind Mërkuri. Stojani solli në vëmendje një rast të ngjashëm me prokurorin Pelivan Malaj, të cilit iu zgjat mosha e pensionimit nga 67 në 70 vjeç, ndërsa ishte pezulluar nga detyra pas shkarkimit nga KPK.

Pas votimit, kërkesa e prokurorit Çardaku për zgjatjen me tre vjet të statusit të magjistratit u mbështet nga 9 anëtarë të Këshillit. Prokurori i Tiranës, Lazër Çardaku, u shkarkua nga detyra vitin e kaluar për probleme me kriterin e pasurisë, të cilat cënuan besimin e publikut tek drejtësia. Ai ka ushtruar ankim në KPA, ku pritet të përmbyllet shqyrtimi i ankimit të tij deri në qershor 2026. Me vendimin e KLP-së, Çardaku do të vazhdojë të përfitojë 70% të pagës, edhe pse nuk do ta ushtrojë detyrën realisht.

Leave a Comment

Scroll to Top