Prokurori Florian Bonjaku shkarkohet nga detyra nga KPA

Kolegji i Posaçëm i Apelimit (KPA) vendosi më 19 dhjetor të vitit të kaluar ndryshimin e vendimit të Komisionit për konfirmimin në detyrë të prokurorit të Krujës, Florian Bonjaku, duke e shkarkuar atë me argumentin se dështoi të kalonte testin e besimit të publikut.

Bonjaku e kaloi vetingun në shkallë të parë me vendim të shumicës së trupës së Komisionit, e përbërë nga relatori Olsi Komici dhe anëtarja Valbona Sanxhaktari. Ata arritën në përfundimin se disa pasaktësi në deklarimin e pasurive nuk mund të sillnin penalizim. Megjithatë, kryesuesja Xhensila Pine vlerësoi se Bonjaku kishte kryer deklarim të pasaktë dhe të pamjaftueshëm për pasuritë, si dhe kishte cënuar besimin e publikut tek drejtësia nëpërmjet mangësive në kryerjen e veprimeve hetimore dhe arsyetimin e akteve procedurale.

Komisioneri Publik, Ballhysa, ushtroi ankim, duke argumentuar se Bonjaku ka bërë deklarim të pasaktë të pasurisë dhe, së bashku me problemet e gjetura në kriterin e figurës dhe atë të aftësive profesionale, në vlerësim tërësor duhej të sillnin shkarkimin e tij për “cënim të besimit të publikut te drejtësia”. Kërkesa e Ballhysës u gjet e drejtë nga trupi gjykues i Kolegjit, i kryesuar nga Rezarta Schuetz, me relatore Natasha Mulajn dhe anëtarë Sokol Çomon, Albana Shtyllën dhe Mimoza Tasin.

Gjetjet për pasurinë

Bonjaku ka nënshkruar dy kontrata në vitin 2003 për blerjen e një apartamenti në Durrës nga i vjehrri. Një prej këtyre kontratave, që ka shërbyer për marrjen e një kredie të përdorur për blerjen e një apartamenti në Tiranë, subjekti nuk e ka deklaruar.

Komisioni kishte vlerësuar të mjaftueshme shpjegimet e dhëna nga Bonjaku, duke konkluduar se veprimet e kryera prej tij lidhur me apartamentin, kredinë bankare dhe destinacionin e saj, si dhe deklarimin e një kontrate, nuk mund të sillnin penalizim. Komisioneri Publik ka pasur një qëndrim të ndryshëm, duke konstatuar se subjekti i rivlerësimit ka bërë deklarime kontradiktore lidhur me çmimin e blerjes dhe burimin e krijimit të kësaj pasurie. Sipas Komisionerit, Bonjaku ka kryer deklarim të pamjaftueshëm për arsye të mosdeklarimit të kontratës së përdorur për kredinë.

Në parashtrimet para trupit gjykues në Kolegj, Bonjaku përdori të njëjtin arsyetim si gjatë procesit të rivlerësimit në Komision, duke sqaruar se kontrata e padeklaruar, që pasqyron çmimin 30 mijë USD, nuk është zbatuar ndonjëherë, duke mos sjellë efekte ligjore. Ai po ashtu nënvizoi se ka përmbushur me korrektesë detyrimet kontraktore kundrejt bankës, si dhe se ka pasur mundësitë financiare për shlyerjen e kredisë.

Trupi gjykues i Kolegjit konstaton se për këtë apartament në Durrës, Bonjaku ka nënshkruar dy kontrata shitblerjeje me numër të ndryshëm repertori e koleksioni dhe me çmim e mënyrë shlyerjeje të ndryshme. Njëra është kontrata e shitjes me rezervë e datës 8 mars 2003, në çmimin 30 mijë USD, e cila është dorëzuar në një bankë për efekt kredie. Kontrata tjetër është nënshkruar më 11 qershor 2003, për çmimin 100 mijë lekë, që ka shërbyer për të mundësuar regjistrimin e kësaj pasurie në emër të subjektit në ZVRPP Durrës.

Kolegji vëren se Bonjaku nuk e ka deklaruar kontratën e parë të përdorur për kredinë, as në deklaratat periodike dhe as në atë të vetingut. Ky dokument është administruar nga Komisioni vetëm në kuadër të hetimit administrativ.

Trupi gjykues konstaton se deklarimet e subjektit në Komision për këtë kontratë duket se nuk kanë qenë të sinqerta, pasi ka pasur kontradikta mes tyre. Bonjaku ka deklaruar se nuk i ishte kujtuar për shkak të kohës së gjatë, por Kolegji sjell në vëmendje faktin se të dyja kontratat janë nënshkruar në vitin 2003, me një diferencë kohore tremujore nga njëra-tjetra. Për rrjedhojë, mundësia për mbajtjen në kujtesë të tyre duhej të ishte e njëjtë. Gjithashtu, fakti se kjo kontratë shitjeje ka shërbyer për përfitimin e kredisë dhe ka diktuar vlerën 3.5 milionë lekë të apartamentit të deklaruar nga subjekti në vitin 2003, sipas Kolegjit, të çon në konkluzionin se mosdeklarimi apo mosdepozitimi i saj gjatë procesit të rivlerësimit, nuk ka qenë thjesht çështje harrese, por duket si një përpjekje për ta mbajtur atë jashtë kontrollit të ILDKPKI-së dhe Komisionit.

Bazuar në këto rrethana, Kolegji vlerëson se deklarimet dhe shpjegimet e dhëna nga Bonjaku duken të pabesueshme dhe vijnë në kontradiktë me sjelljen që pritet dhe duhet të demonstrojë një prokuror, në funksion të gëzimit të besimit të publikut.

Njësoj ka vlerësuar edhe KPK për mosdeklarimin e apartamentit në Tiranë në vitet 2003 e në vijim, duke konkluduar se nuk mund të sjellë penalizim. Në vendim konstatohet se ky apartament nuk ka ekzistuar në kohën e plotësimit të deklaratës së pasurisë së vetingut, pasi është shitur në vitin 2011 dhe të ardhurat e përfituara nga shitja e tij kanë shërbyer si burim për blerjen e një apartamenti tjetër në Tiranë me sipërfaqe 112,4 m2.

Komisioneri Publik ka konstatuar se subjekti nuk ka deklaruar me saktësi dhe vërtetësi në deklaratën e pasurisë së vetingut rrethanat faktike dhe ligjore mbi pasuritë në posedim apo pronësi të tij, si dhe ka kryer deklarime të pasakta dhe të pamjaftueshme në deklarimet periodike vjetore. Më tej, Komisioneri ka vlerësuar se mosdeklarimet e pasurisë ndër vite, veprimet juridike të kryera për dukje, si dhe deklarimet e pasakta dhe kontradiktore, bien ndesh me sjelljen që pritet nga një magjistrat dhe si pasojë, Bonjaku gjendej në situatën ku duket se ka cenuar besimin e publikut.

Për të kundërshtuar Komisionerin, subjekti ka theksuar se në rastin e tij nuk bëhej fjalë për ndonjë veprim korruptiv, marrëdhënie të rreme, shkelje të betimit si nëpunës publik, veprim në situatën e konfliktit të interesit apo të paaftësisë në punën profesionale. Ai ka sjellë në vëmendje praktikën e KPA-së, duke argumentuar se konkluzioni për cenim të besimit të publikut te sistemi i drejtësisë duhet të jetë një produkt i dalë mbi vlerësimin e përgjithshëm të tri kritereve të rivlerësimit ose tërësor të procedurave, në rastet kur problemet e konstatuara nuk mund të përbëjnë shkak shkarkimi më vete.

Lidhur me këtë shkak ankimi, Kolegji ka vlerësuar në përfundim, duke u bazuar në praktikën e mëparshme, dhe ka çmuar që mosdeklarimet për këtë pasuri t’i konsiderojë në vlerësimin e përgjithshëm të të tria kritereve, me qëllim konkludimin nëse mangësitë do të jenë të mjaftueshme për të arritur në konkluzionin për cënim të besimit të publikut tek drejtësia.

Figura dhe profesionalizmi

Komisioni kishte konkluduar se informacionet e organeve ligjzbatuese nuk provojnë implikimin e subjektit të rivlerësimit në veprime të paligjshme me natyrë korruptive, ndikim të paligjshëm apo kontakte të papërshtatshme me persona të përfshirë në krimin e organizuar. Në përfundim, KPK kishte vlerësuar se Bonjaku ka arritur një nivel të besueshëm për kriterin e figurës.

Megjithatë, Komisioneri Publik ka ndarë qëndrim të ndryshëm, duke argumentuar se ndonëse rastet e referuara në dukje nuk përmbajnë elemente që të cilësohen me ndikim në vlerësimin e figurës, elementet e një procedimi të hetuar nga subjekti duken se janë vlerësuar dhe trajtuar në drejtim të cënimit të besimit të publikut.

Komisioneri Publik ka parashtruar se transkriptimi i bisedës telefonike të një shtetasi, i paraqitur ndryshe nga sa ka rezultuar në veprimet përkatëse hetimore, duket se ka mundësuar lehtësimin e pozitës procedurale të tij. Kjo pasi procedimi penal ndaj këtij personi, i hetuar për tetë muaj për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, për të cilin ishte kërkuar masa e sigurimit personal “Arrest me burg”, ka ndryshuar në “Moskallëzim krimi”.

Një tjetër fakt që ka parashtruar Komisioneri ishte dhe vendimi i Gjykatës së Krujës, ku argumentohej se duheshin kryer veprime të mëtejshme hetimore për të proceduarit, si dhe heqja dorë nga Prokurori i Apelit Tiranë, i cili e ka cilësuar të pabazuar ankimin e Bonjakut ndaj vendimit të gjykatës.

Kolegji ka trajtuar fillimisht pretendimin e subjektit se kjo çështje nuk mund të merret në analizë, pasi është ende në gjykim, në pritje të shqyrtimit dhe të një vendimmarrjeje nga Gjykata e Apelit Tiranë. Sipas KPA, në kushtet kur problemet sillen në vëmendje nga organet ligjzbatuese, analiza thellohet në drejtim të identifikimit të ndonjë qëndrimi lehtësues apo favorizues të prokurorit ndaj personave nën hetim që, për pasojë, do të ndikonte në integritetin dhe besueshmërinë e publikut ndaj tij.

Në vijim, Kolegji ka marrë në analizë pretendimin e Komisionerit Publik lidhur me ndryshimin e transkriptimit të bisedës telefonike të një prej të hetuarve. Nga verifikimi i akteve, KPA konstaton se veprimet procedurale para muajit janar 2020, si në kërkesën drejtuar Gjykatës së Krujës për caktimin e masës “Arrest në burg”, ashtu edhe në urdhrin për regjistrimin e procedimit penal, transkripti i bisedës telefonike të personave në hetim është pasqyruar i plotë. Ndërkohë që në aktet e tjera procedurale, nga janari 2020 e në vijim, subjekti i rivlerësimit e ka pasqyruar atë të shkurtuar, jo sipas procesverbalit fillestar. Të njëjtin qëndrim duket që subjekti ka mbajtur edhe për një tjetër komunikim telefonik, ku në disa akte procedurale nuk pasqyrohet.

Kolegji vëren se nga aktet në fashikullin penal, të dy këto komunikime telefonike rezulton se janë zhvilluar kur forcat e policisë kanë ushtruar kontroll në zonën e kultivimit të bimëve narkotike dhe jo sipas parashtrimeve të Bonjakut, i cili ka pohuar se ka vetëm një bisedë gjatë kontrollit të forcave të policisë.

Sipas KPA, transkriptimet e bisedave paraqiten ndryshe në aktet procedurale fillestare kur vepra penale e regjistruar ka qenë “Kultivim i bimëve narkotike”, me ato në aktet procedurale të mëvonshme kur është lehtësuar akuza. Kolegji vëren se përmbajtja e bisedës paraqitet e reduktuar, e pakuptimtë dhe e nxjerrë nga konteksti.

“Nisur nga të dhënat e administruara nga informacionet e organeve ligjzbatuese, mënyra sesi subjekti i rivlerësimit paraqet para gjykatës rezultatet e hetimeve të kryera dhe këmbëngulja e tij në ankimin ndaj vendimit të sipërcituar të gjykatës, duket si një përpjekje e vazhdueshme dhe e pashpjegueshme për të mbrojtur konkluzionet e veta për ndryshimin e kualifikimit të veprës penale dhe lehtësimin e pozitës procedurale për S. D. dhe B. D.”, vlerëson trupi gjykues i KPA dhe i gjen të drejtë konstatimet e Komisionerit Publik. Këto konstatime konsiderohen se u japin vlerë informacioneve të dërguara nga organet ligjzbatuese dhe janë konsideruar në vlerësimin tërësor.

Profesionalizmi

Në kriterin profesional, Komisioni ka konstatuar të meta në dy nga pesë denoncimet e depozituara ndaj subjektit, por ka vlerësuar se ato nuk mund të sjellin penalizim. Kolegji i gjen të drejtë konstatimet e Komisionerit Publik për këto dy çështje të hetuara nga subjekti në vitin 2018. Në të dy rastet ka rezultuar se Bonjaku ka treguar mangësi procedurale lidhur me zbatimin e detyrimit ligjor mbi njoftimin e kallëzuesit për kërkesat për pushimin e çështjes.

Në një prej çështjeve ka zgjatur afatet e veprimeve hetimore me arsyetimin se duhej kërkuar dokumentacion shtesë nga Bashkia Krujë, ndërkohë që për 15 muaj nuk i ka kërkuar këto akte. Në procedimin tjetër, ka rezultuar se nuk ka kryer veprimet hetimore të nevojshme për një kohë të gjatë dhe të pajustifikuar.

Edhe mangësitë e konstatuara në vlerësimin e kriterit të aftësive profesionale në këto dy procedimeve penale është çmuar prej Kolegjit që të merren në konsideratë në vlerësimin tërësor.

Në përfundim, Kolegji vlerëson se konstatimet në të tre kriteret e rivlerësimit çojnë në konkluzionin se prokurori Florian Bonjaku dështoi të kalonte testin e moscenimit të besimit të publikut dhe se ai ndodhet në kushtet e pamundësisë për plotësimin e mangësive nëpërmjet programit të trajnimit në Shkollën e Magjistraturës. Për rrjedhojë, në përfundim u vendos ndryshimi i vendimit të Komisionit dhe shkarkimi nga detyra i prokurorit Florian Bonjaku.

Scroll to Top