Prokuroria turke kërkon mbi 2000 vjet burg për Imamoglun, opozita reagon: Qeveria e përdor si propagandë për të shuar demokracinë
Partia e politikanit opozitar, Ekrem İmamoğlu, hodhi poshtë si “propagandë politike” kërkesën e prokurorisë për t’i shqiptuar ish-kryebashkiakut të Stambollit një dënim burgimi mbi 2.000 vjet.
“Me këtë aktakuzë, qeveria zbuloi se dëshiron ta shtyjë këtë vend larg demokracisë,” deklaroi sot në Ankara Deniz Yucel, zëdhënës i Partisë Republikane Popullore (CHP). Ai shtoi se nuk bëhet fjalë për një tekst ligjor, por për një dokument politik që synon të godasë të gjithë partinë.
İmamoğlu konsiderohet rival i fortë i presidentit turk, Recep Tayyip Erdoğan. Ai u arrestua në mars me akuza për terrorizëm dhe korrupsion dhe u shkarkua nga detyra e kryebashkiakut të Stambollit.
Të martën, më 11 nëntor, prokuroria e Stambollit paraqiti aktakuzën, duke kërkuar që İmamoğlu t’i shqiptohet një dënim total prej 2.430 vjetësh burg për 142 vepra penale.
Sipas aktakuzës, politikani opozitar akuzohet se ka themeluar dhe drejtuar një organizatë kriminale, si dhe për ryshfet dhe pastrim parash, ndër akuza të tjera.
