Prokuroria e Vlorës dërgon në gjyq 7 persona, mes tyre edhe ish-zyrtarë të IMT-së
Prokuroria e Vlorës ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar në gjyq shtatë persona, përfshirë katër ish-zyrtarë të Inspektoratit të Mbikëqyrjes së Territorit (IMT) në Himarë dhe tre shtetas të tjerë, të akuzuar për ndërtime të paligjshme dhe shpërdorim detyre.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, pas përfundimit të hetimeve, ka vendosur të çojë para drejtësisë këta shtatë persona. Ata akuzohen për veprat penale të “Ndërtim i paligjshëm” dhe “Shpërdorim detyre”, të parashikuara nga nenet 199/a dhe 248 të Kodit Penal.
Hetimet, të zhvilluara mbi procedimin penal nr. 704 të vitit 2021, lidhur me ndërtimet e paligjshme në zonën e “Kodrës së Rrapojve” në Himarë, kanë zbuluar se shtetasit e përfshirë, në ushtrim të detyrave të tyre publike, kanë vepruar në kundërshtim me ligjin. Kjo ka sjellë cenimin e interesave të ligjshme të shtetit dhe/ose subjekteve të tjera.
Shtatë shtetasit e dërguar në gjyq janë:
- M.B., akuzuar për veprën penale të “Ndërtimi i paligjshëm” (neni 199/a/4 i Kodit Penal).
- B.M., akuzuar për veprën penale të “Ndërtimi i paligjshëm” (neni 199/a/4 i Kodit Penal).
- Sh.T., akuzuar për veprën penale të “Ndërtimi i paligjshëm” (neni 199/a/4 i Kodit Penal).
- R.H., ish-kryeinspektor i IMT Bashkia Himarë, akuzuar për veprën penale të “Shpërdorimi i detyrës” (neni 248 i Kodit Penal).
- M.N., ish-kryeinspektor i IMT Bashkia Himarë, i padënuar më parë, akuzuar për veprën penale të “Shpërdorimi i detyrës” (neni 248 i Kodit Penal).
- E.Z., ish-inspektor i IMT Bashkia Himarë, akuzuar për veprën penale të “Shpërdorimi i detyrës” (neni 248 i Kodit Penal).
- R.K., ish-inspektor i IMT Bashkia Himarë, akuzuar për veprën penale të “Shpërdorimi i detyrës” (neni 248 i Kodit Penal).
