Mar. Nën 20th, 2018

Prokurorja e Përgjithshme Arta Marku i shpall luftë krimit

TIRANË, 7 shtator /ATSH- I. Vata/ – Prokurorja e Përgjithshme Arta Marku zhvilloi sot një takim me të gjithë drejtuesit e Prokurorive të Rretheve Gjyqësore dhe të Apelit ku u ka kërkuar prokurorëve të rrisin bashkëpunimin me Policinë e Shtetit për t’i shpallur luftë krimit.

Kryeprokurorja Marku ka vënë theksin te rritja e bashkëpunimit të organeve ligjzbatuese në luftë kundër krimit dhe kapja e personave të shpallur në kërkim.

Në mbledhjen e zhvilluar në Prokurorinë e Përgjithshme, Marku kërkoi rritjen e bashkëpunimit me Policinë dhe agjencitë e tjera të ligjit, ngritjen e grupeve të përbashkëta hetimore, për hetimin e krimit në tërësi, dhe në veçanti krimit kundër jetës, pronës, korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Po ashtu Kryeprokurorja ka kërkuar vëmendje të shtuar për dosjet e pezulluara pa autor, kryesisht të vrasjeve, tërheqjen dhe analizën e detajuar të tyre, me qëllim kryerjen e veprimeve të gjithanshme, me shpejtësi dhe efikasitet në drejtim të zbulimit të autorëve.

Gjithashtu, gjatë mbledhjes, nga Prokurorja e Përgjithshme u është kërkuar drejtuesve të prokurorive, të paraqesin brenda muajit shtator, listën e përditësuar të personave në kërkim dhe në bashkëpunim me Policinë e Shtetit marrjen e të gjitha masave për evidentimin dhe kapjen e tyre.

Për më tej, Kryeprokurorja u ka kujtuar drejtuesve të prokurorive detyrimin ligjor për raportimin dymujor të gjendjes së kriminalitetit në rrethet përkatës. /e.caushi/

Kategori