Prokurorja Elina Kombi shkarkohet nga detyra, konfirmohet nga Apeli

Kolegji i Posaçëm i Apelimit konfirmon shkarkimin e prokurores Elina Kombi për deklarim të pamjaftueshëm të pasurisë.

Prokurorja e Tiranës, Elina Kombi, u shkarkua nga detyra më 3 shkurt pasi Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK) arriti në përfundimin se ajo nuk kishte provuar me dokumentacion ligjor burimet financiare për një pjesë të pasurisë së deklaruar. Kjo çoi në konkluzionin se subjekti kishte bërë një deklarim të pamjaftueshëm të pasurisë, i cili ishte edhe kriteri i vetëm për përfundimin e hetimit administrativ.

Kombi e kundërshtoi shkarkimin duke i kërkuar Kolegjit të Posaçëm të Apelimit (KPA) kalimin e çështjes në seancë publike dhe riçeljen e hetimit për dy kritere të tjera, por kërkesat e saj nuk u gjetën të bazuara.

Pas shqyrtimit, KPA konfirmoi se subjekti ishte në kushtet e deklarimit të pamjaftueshëm të pasurisë. Komisioni arriti në përfundimin se Kombi nuk kishte pasur mundësi financiare për ndërtimin e një shtese anësore të apartamentit në Pogradec. Megjithëse Kombi kundërshtoi mënyrën e përllogaritjes së vlerës së ndërtimit, duke argumentuar se ajo bie ndesh me praktikën e krijuar nga KPK dhe KPA, trupi gjykues nuk e mbështeti kërkesën për zbritjen e 25% të vlerës së investimit, bazuar në jurisprudencën e mëparshme të Kolegjit.

Sipas KPA-së, referencat e Entit Kombëtar të Banesave (EKB) nuk gjejnë zbatim në këtë çështje, por në rastet kur mungon dokumentacioni i kohës që provon vlerën e investimit si preventiv ose situacione punimesh. Kolegji konstatoi se në rastin në fjalë, akti i kolaudimit të përgatitur në vitin 2010 përcaktonte vlerën e objektit sipas preventivit në 6.7 milionë lekë dhe sipas situacionit në 7.2 milionë lekë. Analiza financiare e kryer nga KPA për këtë pasuri rezultoi në një balancë negative prej më shumë se 1 milion lekë, por për të mos përkeqësuar situatën, u konfirmua pamundësia e konstatuar nga KPK.

Komisioni kishte konstatuar pamundësi financiare edhe për një rezidencë banimi tre-kateshe në Pogradec, duke vlerësuar se ky objekt ishte përdorur si bujtinë, ndërsa Kombi nuk arriti të provonte se aktiviteti ishte ushtruar në përputhje me legjislacionin.

Kombi kundërshtoi në ankim konkluzionin e Komisionit për pamjaftueshmërinë e konstatuar për krijimin e kësaj pasurie, duke pretenduar se mungesa e likuiditetit në vitin 2010 ishte rrjedhojë e një analize financiare të gabuar. Sipas saj, nuk ishin llogaritur saktë të ardhurat nga paga e bashkëshortit, si dhe nuk ishin përfshirë të ardhura nga funksioni i saj si drejtuese e prokurorisë, duke kërkuar gjithashtu zbritjen e shpenzimeve të karburantit.

Kolegji e konsideroi të pabazuar kërkesën për t’i konsideruar si të ardhura shpenzimet e transportit të përfituara nga Kombi si drejtuese e prokurorisë, duke vënë në dukje se këto përfitime shërbejnë për transportin në përmbushje të detyrave funksionale dhe nuk mund të konsiderohen të ardhura personale.

Lidhur me balancën pozitive të konstatuar nga KPK për vitin 2011, Kolegji vuri në dukje se KPK-ja kishte qenë tejet garantuese ndaj subjektit, duke e konsideruar të plotë një shumë të tërhequr nga një depozitë, edhe pse Kombi nuk kishte provuar me të ardhura të ligjshme krijimin e saj.

Kolegji vlerëson se Kombi nuk arriti të provonte me dokumentacion të ardhurat e bashkëshortit nga punësimi në SHBA, si dhe mundësinë e prindërve të saj për t’i dhënë shumën 20 mijë USD, të cilat bashkë me të ardhurat nga bashkëshorti, kishin shërbyer si burim për krijimin e depozitës prej 62 mijë USD. KPA e gjeti të pabazuar pretendimin e subjektit për pamundësi objektive për të siguruar dokumentacion ligjor për një pjesë të të ardhurave nga SHBA, për shkak të kohës së largët.

Kolegji ngriti dyshime edhe mbi destinacionin e përdorimit të shumës së dhënë nga prindërit, duke argumentuar se paqartësia për tërheqjen e kësaj shume për ndërtimin e banesës në vitin 2011, ndërkohë që ajo pretendohej të ishte dhënë për nevoja strehimi në vitet 2006, 2008 dhe 2009, lëkund besueshmërinë e deklarimeve.

Nga analiza financiare, rezultoi se prindërit e subjektit kishin qenë në pamundësi financiare për të dhënë shumën prej 20 mijë USD. Kolegji konstatoi një balancë negative prej 5.7 milionë lekë gjatë gjithë periudhës së rivlerësimit, por për të mos përkeqësuar situatën, la në fuqi pamundësinë prej 5.2 milionë lekë të konstatuar nga KPK.

Në përfundim, trupi gjykues i KPA, i kryesuar nga Sokol Çomo, me relatore Natasha Mulaj dhe anëtare Albana Shtylla, Mimoza Tasi e Rezarta Schuetz, konkluduan se prokurorja Elina Kombi kishte bërë deklarim të pamjaftueshëm për pasurinë dhe e lanë në fuqi vendimin për shkarkimin e saj.

Scroll to Top