Pronari i hotelit, lidhje me ngjarje të dhunshme dhe krim

Plagosja e 18-vjeçares, pronari i hotelit i njohur për përplasjet e kaluara

Vladimir Gjuta rezulton të jetë pronari i hotelit ku një 18-vjeçare u vetëplagos mëngjesin e kësaj të shtune në Tiranë. Viktima ishte e dashura e nipit të Gjutës, i cili është shpallur në kërkim për moskallëzim krimi.

Gjuta nuk është një emër i panjohur për policinë dhe drejtësinë shqiptare. Në vitin 2021, ai u dënua me pesë vite burg, pasi u arrestua në shkurt të vitit 2020 për mbajtje pa leje të një arme pranë selisë së Partisë Socialiste. Ai është gjithashtu një emër i lidhur me drejtësinë shqiptare në kontekstin e atentateve me eksploziv ndaj familjes së ministrit Saimir Tahiri.

Biznesmeni 34-vjeçar është arrestuar dhe dënuar disa herë për vepra të ndryshme penale. Ngjarja më e fundit që çoi në arrestimin e tij ishte goditja ndaj një punonjësi të Policisë Rrugore në dhjetor të vitit 2014. Në bashkëpunim me dy persona të tjerë, ai fyeu dhe goditi për shkak të detyrës një polic pas vendosjes së një gjobe për parkim të gabuar. Kjo ngjarje, e ndodhur rreth 3 muaj para arrestimit, u shënua në rrugën “Dervish Hima”, përballë një kazinoje në pronësi të Gjutës. Pas këtij incidenti, policia nisi kontrolle në biznesin e 34-vjeçarit për veprimtari të paligjshme. Gjykata i caktoi atij masën e sigurisë “arrest shtëpie”, të cilën ai e vuante edhe aktualisht.

Vladimir Gjuta, me origjinë nga Kukësi dhe banues në Tiranë, me arsim 8-klasë, është përfshirë edhe në një përleshje të armatosur në Kukës në vitin 2013. Konflikti dyshohet se nisi për një borxh mes tij dhe biznesmenit Ardian Trota, i njohur si “i forti i Kukësit”, ndaj të cilit janë kryer disa atentate. Të dy biznesmenët mbetën të plagosur nga përleshja, por asnjëri nuk pranoi të ishte përfshirë në konflikt. Gjithashtu, nga kjo ngjarje mbeti i plagosur edhe nipi i Gjutës, Baftjar Bruka, i cili është shpallur gjithashtu në kërkim për sulmet me eksploziv ndaj familjes së Saimir Tahirit.

Biznesmeni 34-vjeçar nga Kukësi është arrestuar më parë edhe për pengmarrje, mbajtje të lëndëve narkotike dhe armëmbajtje pa leje.

Scroll to Top