Protesta në Durrës, qytetarët përplasen me policinë
Policia po shoqëron me forcë banorët të cilët po protestojnë para bashkisë së Durrësit kundër shembjes së banesave të tyre në kuadër të projektit TID. Banorët protestojnë që në mëngjes lidhur me pronën e tyre, por janë përballur jo vetëm me dhunën e policisë bashkiake, por edhe me masat e marra nga policia e shtetit. Deri tani mësohet se janë shoqëruar 6 banorë.
Projekti TID pritet të prekë banesat e 74 familjeve durrsake. Qytetarët u mblodhën fillimisht para godinës së Bashkisë, ku kërkonin shpjegime për situatën. Më pas ata ndoqën kryetarin e Këshillit të qarkut, Alfred Mullaraj. Ata ndaluan edhe kreun e IMT-së pranë Bashkisë së Durrësit, të cilit i kërkuan gjithashtu shpjegime për situatën.
Në vijim të protestës, situata ka agravuar duke sjellë tension dhe ndërhyrje nga forcat policore, pasi banorët protestues bllokuan rrugën, si reagim ndaj cenimit të të drejtave dhe banesave të tyre nga projektet. Pasi nuk janë lejuar të futen në bashki, protestuesit kanë hedhur vezë dhe letra higjienike në drejtim të godinës.
Ndërkohë, pas ndërhyrjes së policisë, janë shoqëruar 3 protestues, ndërsa banorët e tjerë kanë tentuar t’i nxjerrin ata nga furgoni i policisë.
