Protesta në Iran: 36 të vdekur, mbi 2000 të arrestuar

Kriza në Iran përshkallëzohet: 36 të vdekur dhe mbi 2 mijë të arrestuar gjatë protestave

Situata në Iran ka përshkallëzuar, me numrin e të vdekurve gjatë protestave që shkon në 36 persona, ndërsa më shumë se 2 mijë persona janë arrestuar.

Të paktën 36 persona kanë humbur jetën gjatë 10 ditëve të fundit të protestave të përhapura në të gjithë Iranin, sipas Agjencisë së Lajmeve të Aktivistëve të të Drejtave të Njeriut (HRANA), e cila ka selinë jashtë vendit. Raporti sqaron se 34 nga viktimat ishin protestues, ndërsa dy të tjerë ishin të lidhur me forcat e sigurisë.

Autoritetet iraniane nuk kanë bërë të ditur një bilanc zyrtar të viktimave, por kanë konfirmuar vdekjen e tre anëtarëve të forcave të sigurisë. Ndërkohë, BBC Persian ka arritur të verifikojë deri tani identitetin e 20 personave të vrarë.

HRANA gjithashtu raporton se më shumë se 60 protestues janë plagosur dhe 2,076 persona janë arrestuar gjatë protestave, të cilat janë shtrirë në 27 nga 31 provincat e vendit.

Demonstratat filluan më 28 dhjetor, fillimisht në Teheran, si reagim ndaj përkeqësimit të situatës ekonomike dhe rënies së fortë të monedhës kombëtare, rialit.

Në ditët e fundit, forcat iraniane të sigurisë janë përplasur ashpër me protestuesit në disa qytete. Në Pazarin e Madh të Teheranit, u përdor gaz lotsjellës për të shpërndarë turmat, të cilat brohorisnin slogane kundër udhëheqjes klerikale të vendit.

Në provincën perëndimore të Ilamit, një polic u vra gjatë një përleshjeje në zonën Malekshahi, sipas mediave gjysmëzyrtare iraniane. Pamje të publikuara në rrjetet sociale tregojnë ndërtesa të djegura dhe protesta të dhunshme në disa qytete të rajonit.

Zyra e Presidentit Masoud Pezeshkian njoftoi se ka urdhëruar formimin e një delegacioni të posaçëm për të hetuar ngjarjet në Ilam. Ky urdhër erdhi pas publikimit të pamjeve që dyshohet se tregojnë forcat e sigurisë duke sulmuar Spitalin Imam Khomeini, ku aktivistët thonë se ishin strehuar protestues të plagosur.

Scroll to Top