Sot zhvillohet protesta e radhës e opozitës, e cila do të mbahet në orën 17:00 para Kryeministrisë. Policia ka marrë masa për mbarëvajtjen e protestës, duke angazhuar mbi 1300 efektivë në terren.
Policia e Shtetit ka njoftuar një sërë masash sigurie dhe kufizimesh në qarkullim. Që prej orës 23:45 të mbrëmjes së së hënës, lëvizja dhe parkimi i automjeteve janë bllokuar në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga “Ura e Dajtit” deri te rruga “Ismail Qemali”.
Nga ora 15:00 e ditës së sotme dhe deri në përfundim të protestës, nuk do të lejohet qarkullimi i automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, si dhe në segmentin nga kryqëzimi pranë Ministrisë së Brendshme deri te sheshi “Nënë Tereza”. Kufizime do të ketë edhe në rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”.
Policia bën me dije se, në varësi të zhvillimit të protestës, mund të ketë bllokime të përkohshme edhe në akse të tjera rrugore.
