Studentët finlandezë u bëjnë thirrje universiteteve të ndërpresin lidhjet me Izraelin
Lëvizja “Studentët për Palestinën” në Finlandë ka zhvilluar protesta, duke u bërë thirrje universiteteve të ndërpresin lidhjet e tyre me Izraelin, raporton transmetuesi Yle.
Studentë në kryeqytetin Helsinki dhe qytete të tjera u mblodhën të mërkurën nëpër kampuse, duke kërkuar nga administratat që të angazhohen për një bojkot akademik të Izraelit dhe të ndërpresin lidhjet financiare me universitetet izraelite.
Një peticion i lëshuar nga lëvizja i kërkoi Universitetit të Helsinkit të ndërpresë të gjitha lidhjet me institucionet izraelite, përfshirë pjesëmarrjen në 15 projekte kërkimore të financuara nga BE-ja në kuadër të programit Horizon Europe.
Studentët theksuan se ndërprerja e bashkëpunimit kërkimor do të tregonte se universitetet finlandeze nuk do të tolerojnë shkeljet e të drejtave të njeriut.
Zyrtarë nga Universiteti i Tampere-s dhe Universiteti i Finlandës Lindore u kanë deklaruar për Yle-në se nuk kanë lidhje aktive me universitetet izraelite.
Të mërkurën më vonë, pesë palestinezë humbën jetën dhe disa të tjerë u plagosën në sulme izraelite në Rripin jugor të Gazës. Autoritetet palestineze e cilësuan këtë si një shkelje të mëtejshme të marrëveshjes së armëpushimit të tetorit.
Faza e parë e marrëveshjes së armëpushimit përfshin lirimin e pengjeve izraelitë në këmbim të të burgosurve palestinezë dhe parashikon rindërtimin e Gazës dhe krijimin e një mekanizmi të ri qeverisës pa përfshirë Hamasin.
Që nga tetori i vitit 2023, sipas raportimeve, Izraeli ka vrarë më shumë se 70,000 njerëz, shumica gra dhe fëmijë, dhe ka plagosur gati 171,000 të tjerë në sulmet në Gaza.
