Pamjet tronditin rrjetin: Studentja u vra në protestat në Iran, momenti prekës i vajzës që pret flokët në varrimin e motrës
Një moment prekës ka marrë vëmendjen në rrjetet sociale. Një vajzë e re në Iran, duke protestuar kundër vdekjes së motrës së saj, e cila u vra gjatë një demonstratë nga regjimi teokratik, ka prerë flokët në funeralin e saj. Videoja e këtij akti ka bërë xhiron e internetit.
Viktimë është Melika Dastiab, një studente 21-vjeçare e Ekonomisë, e cila humbi jetën pasi u qëllua nga forcat qeveritare në provincën Kermanshah. Ajo kishte marrë pjesë në protestat kundër regjimit, si mijëra bashkatdhetarë të tjerë, duke paguar me jetën pjesëmarrjen e saj.
Pas një funerali ku morën pjesë një turmë e madhe, trupi i saj u varros në qytetin e lindjes. Motra e saj, në një akt proteste simbolik, preu flokët. Një video e publikuar fillimisht në platformën Telegram, tregon qartë madhësinë e turmës së mbledhur për të nderuar kujtimin e studenteve të re.
Sipas organizatës amerikane për të drejtat e njeriut HRANA, të paktën 5,937 persona kanë humbur jetën në protestat që nisën më 28 dhjetor. Fillimisht, protestat ishin të organizuara nga tregtarët, por shpejt evoluan në thirrje për ndryshim regjimi. Ky valë protestash konsiderohet si goditja më e përgjakshme e autoriteteve iraniane që nga Revolucioni Islamik i vitit 1979.
Prerja e flokëve është një traditë e lashtë iraniane, e përdorur nga gratë si shenjë zie për humbjen e të dashurve. Kjo praktikë, e njohur si “Gisumboran” në Iran (ose “Chamar” mes komuniteteve kurde), ka rifilluar vitet e fundit si një akt proteste kundër shtypjes së regjimit iranian. Pas protestave masive të vitit 2022, të cilat pasuan vdekjen e Mahsa Aminit nga Policia e Moralit, shumë gra, jo vetëm nga Irani por edhe nga vende të tjera të botës, kanë prerë flokët si mbështetje për luftën e popullit iranian për liri dhe drejtësi.
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
