Protestë banorë Luz, Fushë-Krujë: Rrugë e degraduar

Rruga e degraduar, banorët e Luzit në Fushë-Krujë dalin në protestë

Banorët e fshatit Luz, së bashku me disa biznese të zonës, kanë dalë në një protestë për të shprehur pakënaqësinë ndaj gjendjes së rënduar të rrugës që kalon përmes fshatit dhe e lidh atë me autostradën dhe pjesën tjetër të vendit.

Ky segment rrugor, pjesë e Unazës së Madhe të qytetit të Fushë-Krujës, sipas banorëve, është degraduar plotësisht prej vitesh. Kjo situatë shpjegohet me qarkullimin e vazhdueshëm të mjeteve të rënda, të cilat i shërbejnë fabrikës së çimentos, guroreve dhe aktiviteteve të tjera industriale.

Banorët theksojnë se kanë paraqitur ankesa të vazhdueshme dhe se të gjitha institucionet përkatëse janë në dijeni të situatës. Ata shtojnë se u është premtuar rikonstruksioni i rrugës dhe kthimi i saj në gjendje normale që në muajin tetor, por deri më sot nuk ka pasur asnjë ndërhyrje.

Kërkesat e tyre kryesore janë:

  • Rikostruksioni i plotë i rrugës.
  • Ndalimi i qarkullimit të kamionëve me tonazh të lartë.

Kjo situatë përbën rrezik serioz për jetën e banorëve dhe veçanërisht për rreth 150 fëmijë të shkollës “Gjon Luka”, e cila ndodhet ngjitur me rrugën. Sipas tyre, trotuaret janë të ngushta, duke e bërë lëvizjen e nxënësve tejet të rrezikshme.

Scroll to Top