Protestë në Memaliaj kundër reformës territoriale, banorët bllokojnë aksin kombëtar: Mos na hiqni bashkinë
Banorët e Memaliajt kanë dalë sërish në protestë kundër reformës territoriale, e cila parashikon bashkimin e Bashkisë Memaliaj me Bashkinë Tepelenë. Kjo ishte protesta e dytë e organizuar nga qytetarët kundër draftit për riorganizimin territorial dhe shkrirjen e Bashkisë Memaliaj.
Në përfundim të tubimit, dhjetëra protestues kanë marshuar në rrugën kombëtare, duke bllokuar përkohësisht qarkullimin e automjeteve. Ata kanë vijuar marshimin në këmbë drejt hyrjes së qytetit, duke shprehur kundërshtimin ndaj ndryshimeve të propozuara në ndarjen territoriale.
Me pankarta dhe thirrje, protestuesit kanë kërkuar që zëri i tyre të dëgjohet dhe që Bashkia Memaliaj të vijojë të funksionojë si njësi e veçantë vendore.
Pas marshimit dhe bllokimit të përkohshëm të rrugës, protesta është mbyllur. Banorët kanë paralajmëruar se do të vijojnë protestat dhe reagimet edhe në ditët në vijim, nëse kërkesat e tyre nuk merren në konsideratë.
