Protestë në Tiranë: Kërkesa për lirimin e veteranëve të UÇK-së
Një protestë ku morën pjesë qytetarë nga Kosova, Shqipëria dhe Europa u zhvillua në sheshin “Skënderbej” në Tiranë. Pjesëmarrësit kërkuan lirimin e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), të cilët sipas tyre, po mbahen padrejtësisht në Hagë.
Sami Hoti nga Rugova e Gjakovës deklaroi se erdhi në protestë për shkak të padrejtësisë ndaj çlirimtarëve dhe u bëri thirrje të gjithë shqiptarëve që të bashkëngjiten. Muhamet Beqiri nga Skenderaj, duke theksuar rëndësinë e pjesëmarrjes, kërkoi lirimin e të pafajshmëve dhe arrestimin e atyre që kanë kryer krime.
Një qytetar nga Tirana, Aliu, shprehu mbështetjen për luftëtarët e UÇK-së, duke thënë se erdhi për “gjak shqiptar” dhe jo për politikanët, të cilët i konsideron të korruptuar.
Një qytetar nga Vushtrria argumentoi se dënimi i UÇK-së do të ishte padrejtësi ndaj gjithë popullit shqiptar. Ai theksoi kontributin e çlirimtarëve për lirinë e Kosovës, duke përfshirë zhvillimin e infrastrukturës dhe krijimin e strukturave shtetërore si policia dhe ushtria. Ai gjithashtu përmendi histori padrejtësish duke filluar nga gjykata e UNMIK-ut dhe EULEX, deri te gjykata e specializuar me dëshmi të falsifikuara nga Serbia.
Protesta u organizua nga Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK). Konfirmimi për pjesëmarrje të gjerë u bë gjatë një konference për media një ditë më parë, ku u njoftua se mbi 60 autobusë do të niseshin nga Kosova.