Protestë në Tiranë kundër Ramës, përplasje me policinë

Al Jazeera raporton për protestën e opozitës: Kërkohet dorëheqja e Ramës për korrupsion

Në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë, kanë shpërthyer përplasje mes policisë dhe protestuesve të opozitës, të cilët kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama për shkak të dyshimeve për korrupsion në qeverinë e Partisë Socialiste.

Protesta, e drejtuar nga lideri i opozitës dhe ish-kryeministri Sali Berisha, mblodhi mijëra pjesëmarrës në një tubim të zhvilluar të shtunën në mbrëmje përpara ndërtesës kryesore të qeverisë.

Berisha, i cili drejton Partinë Demokratike, u bëri thirrje turmës të “bashkohemi për ta rrëzuar këtë qeveri dhe për të vendosur një qeveri teknike për të përgatitur zgjedhje të parakohshme, të lira dhe të ndershme”.

Tensionet u përshkallëzuan kur grupe protestuesish marshuan drejt parlamentit dhe u përpoqën të thyenin kordonët e policisë, duke hedhur gurë dhe koktej Molotov. Policia raportoi se të paktën 10 efektivë pësuan lëndime të lehta, ndërsa sipas Berishës, 25 protestues u arrestuan.

Këto zhvillime vijnë pas një serie ngjarjesh të lidhura me akuzat për korrupsion:

  • Në nëntor, një gjykatë speciale kundër korrupsionit pezulloi nga detyra zëvendëskryeministren Belinda Balluku, një aleate e ngushtë e Ramës, për rolin e saj të dyshuar në një rast korrupsioni në prokurimet publike. Balluku, e cila mban edhe postin e ministre të Infrastrukturës dhe Energjisë, ka mohuar akuzat. Kryeministri Rama e dënoi pezullimin si një “akt brutal ndërhyrjeje në pavarësinë e ekzekutivit”. Pas një kërkese nga qeveria, Gjykata Kushtetuese e riktheu përkohësisht Ballukun në detyrë në dhjetor, në pritje të vendimit përfundimtar. Një komision parlamentar pritet të shqyrtojë të mërkurën kërkesën e prokurorëve të antikorrupsionit dhe krimit të organizuar për t’i hequr imunitetin, gjë që do të mundësonte arrestimin e saj.
  • Krimi i organizuar dhe korrupsioni mbeten pengesa kryesore për aspiratat e Shqipërisë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian.
  • Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, u arrestua në shkurt të vitit të kaluar nën dyshimin për korrupsion dhe pastrim parash.
  • Dy ish-ministra të tjerë që kanë shërbyer nën qeverisjen e Ramës janë akuzuar gjithashtu për përvetësim dhe shpërdorim detyre.
  • Ilir Meta, ish-president dhe ish-kryeministër, u arrestua në tetor 2024 me akuza për korrupsion dhe pastrim parash.

Gjatë protestës, protestuesit hodhën koktej Molotov drejt policisë, e cila u kundërpërgjigj me gaz lotsjellës dhe topa uji për të shpërndarë turmën.

Redaksia shqip ©LAPSI.AL

Scroll to Top