Protestë opozitare sot, Policia Tiranë: Nuk garantojmë tubimin

Opozita nis protestën në orën 18:00 para Kryeministrisë, Policia e Tiranës: Nuk e marrim përsipër zhvillimin e tubimit, mund të ketë veprime të dhunshme

Policia e Tiranës ka njoftuar se nuk e ka autorizuar Partinë Demokratike për protestën e paralajmëruar sot në orën 18:00 para Kryeministrisë. Vendimi i policisë, bazuar në analizën e riskut, vjen duke marrë parasysh ngjarjet e protestës së kaluar, ku persona të maskuar kanë përdorur bomba molotov dhe lëndë piroteknike, duke shkaktuar dëmtimin e punonjësve të policisë. Gjithashtu, Policia ka marrë informacione se mund të ketë veprime të dhunshme edhe gjatë protestës së sotme, duke e bërë të pamundur marrjen përsipër të zhvillimit të tubimit.

Megjithatë, policia ka marrë masa për bllokimin e disa akseve rrugore për të garantuar rendin dhe sigurinë, në përputhje me ligjin “Për tubimet”. Këto masa hyjnë në fuqi nga ora 15:00 dhe do të zgjasin deri në përfundim të tubimit. Rrugët ku do të ketë bllokim të lëvizjes së automjeteve janë:

  • Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi afër Ministrisë së Brendshme deri te sheshi “Nënë Tereza”.
  • Rruga “Ukraina e Lirë”.
  • Rruga “Papa Gjon Pali II”.
  • Rruga “Ismail Qemali”.

Policia ka njoftuar se, në varësi të zhvillimit të tubimit, mund të ketë kufizime të qarkullimit edhe në akse të tjera rrugore. Për të lehtësuar qytetarët, janë marrë masa për devijimin e qarkullimit në rrugë alternative.

Policia e Tiranës u bën thirrje qytetarëve që të shmangin lëvizjen me automjete në akset rrugore që do të bllokohen dhe të përdorin rrugë alternative. Gjithashtu, u kërkohet qytetarëve të ruajnë distancën dhe të denoncojnë në rast se ndeshen me veprime të dhunshme apo paligjshmëri të tjera.

Scroll to Top