Protestë PD: Molotov ndaj vilës së Enver Hoxës, godina digjet

Protesta e PD, molotovë drejt vilës së Enver Hoxës, godina merr flakë

Vila e ish-diktatorit Enver Hoxha është përfshirë nga flakët pas hedhjes së molotovëve dhe fishekzjarreve nga protestuesit. Pas një periudhe qetësie në protestë, duket se vila e ish-diktatorit është zgjedhur si simbolikë, pasi në deklaratat e tij, kreu i PD-së, Sali Berisha, e ka krahasuar shpesh kryeministrin Edi Rama me një diktator dhe mazhorancën me një regjim diktatorial.

Në zonë nuk ishte vënë re prezencë policie.

Deputeti i PD-së, Gazment Bardhi, theksoi se qytetarët kanë të drejtën e tyre të shprehin revoltë sa herë që në vend rikthehen praktikat diktatoriale. Ky koment erdhi pasi protestuesit hodhën molotovë drejt vilës së ish-diktatorit Enver Hoxha, e cila më pas mori flakë.

“Sa herë që rikthehen praktikat diktatoriale, qytetarët mund të shprehin revoltën e tyre. Nuk besoj se ka patur asnjë person të lënduar. Me vrap se po sulmoni serbin, shkoni te kriminelët (iu drejtohet policëve). Ka një sulm ndaj protestuesve. Zoti Berisha ka mbetur në kryqëzimin përpara nesh,” tha Bardhi.

Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu reagoi ashpër pas incidenteve të regjistruara gjatë protestës në kryeqytet, duke dënuar aktet e dhunës pranë godinës së Policisë së Shtetit.

“Të shkosh me molotovë në duar drejt godinës së Policisë së Shtetit nuk është një akt proteste, por një provokim i hapur dhe një dëshirë e ethshme për përshkallëzim, duke tentuar të delegjitimohet forca e ligjit përballë presionit të rrugës. Marshojnë si çlirimtarë në rrugët e kryeqytetit, ndërkohë që janë po ata vetë që shqiptarët i kanë lënë jashtë rrugës së politikës me votë. Duke u fshehur pas bandës së molotovëve, ky Don Kishot që grindet me koshat e mbeturinave si me mullinjtë e erës, e ka kthyer partinë e parë pluraliste në një repart zjarrvënësish. Ky zjarr nuk djeg dot asnjë reformë dhe as të ardhmen europiane të Shqipërisë, por vetëm mbetjet e fundit të një opozite që nuk di më as kush është, as ku po shkon dhe as pse po bërtet,” shkruan në reagimin e saj Koçiu.

Scroll to Top