PD Mban Protestën Para Kryeministrisë dhe Kuvendit, Protestuesit Qëllojnë me Molotovë dhe Fishekzjarrë. Berisha: Protesta Do të Vazhdojë
Partia Demokratike ka zhvilluar protestën e saj të katërt kombëtare, duke u mbledhur para Kryeministrisë. Në podium u ngjit edhe aktorja Rajmonda Bulku, e cila në fjalën e saj kujtoi ngjarjet e 20 shkurtit 1991, duke u shprehur se fryma e studentëve të asaj kohe duhet të rikthehet edhe njëherë.
“Ju falënderoj që sot doni edhe nga unë një fjalë. Të them dhe të kujtoj atë ditë historike të 20 shkurtit 1991, kur ne ishim të gjithë bashkëngjitur me grevën heroike të studentëve tanë. Luftuam kundër një ushtrie që nuk duhet harruar që ishte Partia Komuniste në krye. Të gjithë bashkë, hoqëm frikën dhe morëm guximin tonë sepse donim lirinë tonë. Dua të kujtoj atë frymë dhe të sjellim këtu sot, atë dëshirë për të jetuar bukur në Shqipërinë tonë të bukur dhe ta bëjmë për fëmijët tanë, për nipërit tanë, sepse duhet të kenë mundësinë për të jetuar këtu. Zoti ka bekuar Shqipërinë, por Zoti bekoftë edhe shqiptarët”, u shpreh aktorja Rajmonda Bulku.
Në protestën e katërt kombëtare të PD-së para Kryeministrisë, Sali Berisha kujtoi rënien e bustit të Enver Hoxhës më 20 shkurt 1991. Në fjalën e tij në podium, Berisha u shpreh se pas 35 vitesh, Edi Rama ka marrë të gjitha pushtetet në dorë dhe bëri thirrje për largimin e tij nga qeveria.
“Ju që mblidheni sot në një nga ditët më të shënuara të historisë tonë kombëtare. 20 shkurti është dita në të cilën 35 vite më parë, dhjetëra mijëra qytetarë, të mbledhur në Qytetin e Studentëve, në mbështetje të grevës së studentëve për të çliruar kombin dhe vendin nga kulti i Satanit, nën thirrjen e artistes së mirënjohur, Rajmonda Bulku dhe të protestuesve të shumtë, nisën drejt sheshit ‘Skënderbej’, të rrethuar nga të katër anët me autoblinda, mitraloza, snajperë. Në një betejë që shënoi kulmin e guximit të qytetarëve shqiptarë. Në një betejë paqësore, ku përmbysën kultin e Satanit, kultin e Enver Hoxhës, kultin e Hitlerit shqiptar të pasluftës. Përmbysën regjimin, i cili ekzekutoi, mjeroi më shumë shqiptarë se çdo pushtues tjetër që ata kishin njohur në të gjithë historinë e tyre. Nderim përjetë atyre guximtarëve që iu sulën shtatores së diktatorit, e përmbysën atë dhe çliruan Shqipërinë nga diktatura komuniste 46-vjeçare. 35 vite më parë, të gjithë ata që ishin në shesh, kurrë nuk do ta mendonin se 35 vite më vonë do të ishin përballë një regjimi, sigurisht jo të njëjtë në mënyrë identike, por fatkeqësisht shumë të ngjashëm në shumë e shumë aspekte. Nuk mund të besonin se 35 vite më vonë, pushtetet e vendit do të ishin në duar të një krimineli të pashembullt historik pas Enver Hoxhës. Pushtetet do të ishin në duar të një tradhtari që do të nxinte historinë kombëtare për aktet e tij të tradhtisë ndaj vendit. 35 vite më parë, ata qindra mijëra burra dhe gra që kaluan bllokimin, kaluan autoblindat, snajperët, mitralozat për votën e lirë, për dinjitetin njerëzor, nuk mund të besonin kurrë se 35 vite më vonë përsëri do të rikthehej farsa zgjedhore e atij që përmbysën. E vërteta është se ne nderojmë sot këtë datë me ndjenjën e mirënjohjes më të thellë, por edhe me frymëzimin më të madh me zotimin tonë para shqiptarëve, se Edi Rama do t’i ketë kohërat e numëruara”, tha Berisha.
Kryedemokrati Sali Berisha, në protestën e katërt kombëtare, i bëri thirrje qytetarëve që të mos ndalojnë protestat dhe kryengritjet. Duke krahasuar qeverinë e sotme me regjimin komunist, ai shprehu se Edi Rama do rrëzohet ashtu si shtatorja e diktatorit Enver Hoxha në vitin 1991.
“Satani i shqiptarëve, Enver Hoxha siç dihet vdiq në vitin 1985, por e vërteta është se diktatura e tij vazhdoi sundimin fuqiplotë që në ditën kur ne shembëm shtatoren e tij. Njëlloj sot, Edi Rama është një kufomë politike, i diskredituar, i tmerruar, por prapë njëlloj si shtatorja e Enver Hoxhës, për sa kohë nuk e tërheqim nga zyra e tij, siç tërhoqëm babain e tij shpirtëror 35 vite më parë. Ai regjim 46 vjeçar vendosej mbi disa shtylla që peshonin mbi shqiptarët. Regjimi i sotëm bën të njëjtën gjë. Nëse Enver Hoxha i shndërroi shqiptarët në një popull fantazmë, Edi Rama po përzë shqiptarët nga Shqipëria, për të ndërtuar parajsën e tij dhe të hajdutëve të tij. Ngjashmëritë janë të hidhura”, deklaroi Berisha.
“Ky popull nuk është vjedhur kurrë siç vidhet sot nga Rama dhe shokët e tij. Jemi sot këtu më shumë se kurrë se ne do rikthejmë zgjedhjet e lira në Shqipëri dhe se do jemi një vend normal, i bekuar siç e ka bërë zoti. Nëse Enver Hoxha përdori sigurimin kundër shqiptarëve, Edi Rama përdor bandat për të heshtur shqiptarët. Zero tolerancë ndaj kriminelit të organizuar. Ta dinë mirë se dhe prapa diellit po të shkojnë do t’i ndëshkojmë me forcën e ligjit. Shqipëria e lirë do shpallë vjedhjen e qytetarëve vjedhje të rëndë. Kanë filluar të ikin nga Shqipëria me shpresën se do të shpëtojnë, asnjë nga ju s’do gjejë dot vrimë miu për t’u fshehur. Pak muaj pas themelimit, pyesnin njerëzit a janë opozitë këta apo jo kur shihnin shtatoren e diktatorit, por ne e faktuam para botës dhe shqiptarëve se jemi aty. Sot sytë e të gjithëve janë nga ne. Sot pasi u ngritëm si feniksi, e kemi faktuar”, u shpreh kryedemokrati.
“Në vitin 1991, pak muaj pas themelimit dhe me të drejtë, të gjithë ata që na shikonin, shtronin pyetjen kur shihnin shtatoren e diktatorit, a janë në opozitë këta apo nuk janë në opozitë? Por një ditë ne u faktuam shqiptarëve dhe botës se ishim opozitë, dhe ishim opozita më e guximshme e Europës. Dhe ishim opozita që u përballëm në një betejë epike të pashembullt me diktatorin më gjakësor dhe e shembëm atë. Sot, përsëri, sytë e Europës, sytë e mbarë botës, sytë e shqiptarëve, mendjet, zemrat e tyre janë të drejtuara tek ne, tek ne dhe vetëm tek ne. Por në qoftë se 35 vite më parë me të drejtë pyesnin, a janë apo nuk janë në opozitë këta, sot pas betejave tona, pasi u ngritëm si Feniksi nga hiri, nuk pyet kush më jemi apo nuk jemi, jemi uragani, jemi forca, jemi opozita e vërtetë”.
Menjëherë pas përfundimit të fjalës së Berishës, protestuesit filluan hedhjen e molotovëve dhe fishekzjarrëve drejt godinës së Kryeministrisë. Reagimi i forcave policore ishte i menjëhershëm, të cilat hodhën ujë për të shpërndarë protestuesit. Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, komentoi fillimin e protestës së katërt kombëtare të thirrur nga opozita përpara Kryeministrisë. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Balla shkroi: “Ja sheshi, ja mejdani, ja dhe grupi kriminal që mbulohet me çadra (edhe pse nuk bie shi) gati për molotovët e një plaku të rrjedhur.”
Reagimi i tij vjen gjatë protestës së PD-së, me protestuesit që hodhën molotovë dhe fishekzjarrë drejt godinës së Kryeministrisë. Pas mbërritjes përballë Kuvendit, protestuesit kanë nisur hedhjen e molotovëve. Si pasojë, policia është përgjigjur me gaz lotsjellës dhe ka bërë thirrje për ndalimin e hedhjes së tyre.
Kryetari i PD, Sali Berisha, ka deklaruar për mediat se protesta e opozitës nuk ndalet këtu. Berisha ka paralajmëruar se kjo protestë, që përkon me 35-vjetorin e rrëzimit të bustit të Enver Hoxhës, shënon një tjetër stad të protestave të zhvilluara nga opozita.
“Këta po tejkalojnë çdo vijë të kuqe dhe i garantoj se do marrin ndëshkim shembullor për këto qëndrime që mbajnë”, tha Berisha.
Zoti Berisha, do të vazhdojë protesta, apo mbyllet këtu?
Sali Berisha: Jo, nuk mbyllet këtu protesta. Po si do vazhdojë?
Sali Berisha: Vazhdon protesta. Do vazhdojë dhe të jeni të sigurt se kjo protestë shënon një stad krejt tjetër të protestave tona. Ju e shihni se çfarë vullneti i hekurt është, dhe këta që kanë bërë këto veprime, këta që gjuajnë protestuesit, këta do përballen me ndëshkimin e merituar. Këta po tejkalojnë çdo vijë të kuqe dhe i garantoj se do marrin ndëshkim shembullor për këto qëndrime që mbajnë…
Zoti Berisha, do të vazhdojë protesta, apo mbyllet këtu?
Sali Berisha: Jo, nuk mbyllet këtu protesta. Po si do vazhdojë?
Sali Berisha: Vazhdon protesta. Do vazhdojë dhe të jeni të sigurt se kjo protestë shënon një stad krejt tjetër të protestave tona. Ju e shihni se çfarë vullneti i hekurt është, dhe këta që kanë bërë këto veprime, këta që gjuajnë protestuesit, këta do përballen me ndëshkimin e merituar.
