Partia Demokratike zhvillon sot protestën para Kryeministrisë, ku janë angazhuar 1350 efektivë policorë.
Partia Demokratike do të zhvillojë ditën e sotme protestën përpara Kryeministrisë, e cila do të fillojë në orën 17:00. Kjo është protestë e dytë kombëtare, ku kërkohet largimi i kryeministrit dhe zëvendëskryeministres Belinda Balluku. Gjithashtu, kërkohet krijimi i një qeverie teknike që do të udhëheqë vendin drejt zgjedhjeve të reja.
Ndërkohë, në terren janë angazhuar 1350 efektivë të Policisë së Shtetit. Godina e Kryeministrisë është siguruar në pjesën e jashtme me mbrojtëse metalike, në rast se do të shkaktohen trazira.
Protesta e PD-së do të zhvillohet në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përpara Kryeministrisë. Nga ora 15:00 deri në përfundim të tubimit, do të bllokohet lëvizja e automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi pranë Ministrisë së Brendshme deri te sheshi “Nënë Tereza”. Po ashtu, do të bllokohen dy rrugët rreth Piramidës, “Ismail Qemali” dhe “Papa Gjon Pali II”, si edhe rrugët që degëzohen nga bulevardi drejt ish-Bllokut.
