“`html
Mundësia protestë para Parlamentit, Shehaj: Nuk dorëzohemi për të drejtën e pronës
Partia Mundësia zhvilloi një protestë përpara Parlamentit me pjesëmarrjen e qytetarëve nga Rrjolli, Durrësi, Thethi, Pogradeci, Kombinati dhe zona të tjara të Shqipërisë. Këta qytetarë janë duke u përballur ose kanë vuajtur nga abuzimet e pushtetit në lidhje me pronat e tyre.
Para protestuesve foli edhe kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, i cili u zotua se kjo forcë politike do të jetë në mbështetje të çdo qytetari të cilit i mohohet apo i grabitet prona.
“Pavarësisht se në këto 35 vite kemi parë pafund padrejtësi në lidhje me pronën, nuk duhet të dorëzohemi. Duhet të marrim shembull nga Rrjolli, nga Durrësi. Të vijojmë të protestojmë, të rezistojmë dhe do t’ia dalim. Çdo shqiptar që ka një problem pronësie, të cilit po i rrëmbehet prona, Partinë Mundësia e ka në krah. Këtu na keni, hajdeni të protestojmë për të gjithë ju”, tha Shehaj.
Deputeti i Partisë Mundësia, Erald Kapri, në fjalën e tij theksoi se dy të drejta themelore sot janë në rrezik në Shqipëri: liria dhe prona.
“Dy të drejta janë themelore: e drejta për të jetuar të lirë dhe e drejta për pronën. Të dyja sot nuk i kemi. Pronesë po vidhet ndërsa Policia e Shtetit dhe policia private rreh këdo që çohet të kërkojë të drejtën e vet. Kur dikush i ndershëm ngre zërin në Parlament, Agron Shehaj foli për vjedhjen e pronës dhe e përjashtuan, sepse foli të vërtetën, sepse foli për Rrjollin, për Durrësin, për Pogradecin. Por për çfarë të flasësh në këtë vend, për vilën e Enverit apo për banorët që po mbrojnë pronën e tyre? Sot kjo protestë do të jetë zëri i tyre”, u shpreh Kapri.
“`
