“`html
Propozimi i Berishës për ndryshimin e Kushtetutës, PS nuk e refuzon
Një ditë pasi kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, parashtroi idenë e ndryshimeve kushtetuese për të mundësuar krijimin e Senatit, socialistët kanë dhënë reagimin e tyre. Kryetari i grupit parlamentar të shumicës, Taulant Balla, u shpreh sot gjatë takimit të 20-të të Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit Shqipëri-BE se propozimi i Berishës mund të diskutohet në Komisionin e Posaçëm për Reformën Zgjedhore.
“Për sa i përket çështjeve të lidhura me drejtësinë, duhet të jetë shumë e qartë për mazhorancën qeverisëse të këtij vendi. Në Kuvendin e Shqipërisë vlerësojmë rezultatet e arritura nga SPAK si të mira dhe ndjekim vazhdimin e punës së tyre. Apeli im është që edhe kolegët e opozitës ta votojnë rezolutën, për të treguar që drejtësia nuk është e mirë vetëm kur ngre akuza ndaj opozitarit, por është e mirë edhe kur ngre akuza ndaj mazhorancës. Mes partisë dhe Shqipërisë, të zgjedhin Shqipërinë. Ka nevojë që të gjitha palët të punojnë për rrugët drejt Europës.”
Lidhur me zgjedhjet e 11 majit, të cilat janë vlerësuar nga OSBE/ODIHR si konkurruese dhe të administruara profesionalisht, Balla theksoi se të gjitha ankesat në lidhje me problematikat duhet të adresohen nga Kuvendi, nëpërmjet komisioneve, në mënyrë që zgjedhjet vendore të vitit 2027, parlamentare në prill-maj 2029, si dhe zgjedhjet për anëtarët e Parlamentit Europian nga Shqipëria, të jenë sa më cilësore.
“Duke qenë se këtu është edhe kryetari i grupit parlamentar të PD-së dhe PL-së, nesër të kemi gati emrat për të vijuar punën dhe për të plotësuar kushtet për reformën zgjedhore. Kryetari i PD-së ka komentuar rreth reformimit të Kuvendit, sa i përket numrit, madje ka pasur edhe një propozim. Le të diskutohen edhe këto në Komisionin e Posaçëm të Reformës Zgjedhore. Një prej arritjeve më të mëdha të Shqipërisë ishte mundësia e votimit jashtë vendit”, përfundoi Taulant Balla.
“`
