PS dhe “policia politike” kundër nepotizmit

PS krijon “policinë politike” kundër nepotizmit, porositë e Ramës për deputetët

Zbardhet përbërja e Komisionit të Etikës dhe diskutimet në grupin parlamentar.

Nëse mendoni se i keni parë të gjitha në këto vite qeverisje nga Edi Rama dhe Partia Socialiste, gaboni! Pas 12 vitesh në pushtet me plot skandale që përfshijnë korrupsionin dhe krimin e organizuar, socialistët duket se janë kujtuar për një operacion të ri makijazhi politik. Ata kanë vendosur t’i shpallin luftë nepotizmit dhe klientelizmit në zyrat e shtetit, duke e bërë këtë përmes një strukture partiake.

Nisma, që tingëllon ironikisht për shkak të arkitektëve të shkallëzimit të shtetit, nepotizmit dhe klientelizmit të ngritur në sistem, tani paraqitet si një reflektim për të shpëtuar Shqipërinë nga “bataku” ku vetë e kanë zhytur. Kjo nismë, e deklaruar që në Asamblenë e PS-së në shtator, u prezantua nga Adea Pirdeni në mbledhjen e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, ku mori pjesë edhe Edi Rama.

Komisioni i Etikës, i ngritur nga Partia Socialiste, përshkruhet si një lloj “policie politike” që do të shërbejë si instrument i vetëkontrollit brenda partisë, në funksion të transparencës, përgjegjshmërisë dhe standardeve europiane të qeverisjes. Megjithatë, deri më tani, detaje të plota mbi funksionimin e tij, si do të gjurmohen apo parandalohen emërimet nepotike dhe klientelizmi, nuk janë bërë të ditura.

Një tjetër ironi e situatës është prania e Belinda Ballukut, ministrja e Antikorrupsionit, e cila është zyrtarisht e pandehur nga SPAK për aferën në tenderin e tunelit të Llogarasë. Ajo ishte e pranishme në mbledhje teksa Adea Pirdeni recitonte relacionin mbi Komisionin e Etikës, duke dëgjuar predikimet për luftën kundër nepotizmit dhe klientelizmit.

Përbërja e Komisionit

Siç mësohet nga një burim brenda mbledhjes së grupit të PS-së, drejtimi i këtij komisioni i është besuar Lindita Nikollës, ish-kryetare e Kuvendit. Në këtë komision përfshihen gjithashtu tre deputetë të rinj: Ermal Elezi, Erjona Ismaili dhe Kiduina Zaka. Kritika ngrihet për faktin se këta deputetë, të cilët sipas burimit nuk kanë bërë betejë politike për të qenë në Parlament por janë emëruar falë lidhjeve nepotike dhe klienteliste, tani do të luftojnë nepotizmin në administratën publike.

Rama-Balluku ndalojnë deputetët të publikojnë foto nga mbledhja

Në fund të mbledhjes, Edi Rama kishte lënë porosi që të mos publikoheshin foto nga takimi. Kjo kërkesë, sipas burimeve, mund të ketë ardhur nga Belinda Balluku, për të shmangur çdo imazh të saj në mbledhje teksa është e pandehur.

Krahas prezantimit të draftit për Komisionin e Etikës, Rama kërkoi gjithashtu më shumë prezencë të deputetëve në terren për të takuar qytetarët.

Takime në terren dhe solidaritet brenda grupit

Kryeministri përcjell mesazhe se qëndrimi i shumicës ndaj drejtësisë nuk ka ndryshuar, por ka nënkuptuar se në këtë fazë me goditje nga drejtësia, mazhoranca duhet të ruajë kohezionin e brendshëm dhe të veprojë si një skuadër kompakte. Me pak fjalë, Rama kërkoi frenimin e entuziazmit apo gëzimit brenda grupit të PS-së për goditjen që pësoi Belinda Balluku, duke sugjeruar se kjo nuk është ende mbyllja e çështjes.

Scroll to Top