PS kthen propozimet për reformën në drejtësi

PS kthen propozimet për ndryshime në reformën në drejtësi

Amendamentet e Komisionit të Përkohshëm të Drejtësisë (PS) propozojnë ndryshime në dy ligje të rëndësishme: “Për statusin e prokurorëve dhe gjyqtarëve” dhe “Organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”. Këto ndryshime rrjedhin nga kërkesat e parashtruara nga vetë organet e drejtësisë në Kuvend prej disa vitesh dhe fokusohen kryesisht te procesi i vetingut për përzgjedhjen e kandidatëve për Këshillin e Lartë të Prokurorisë dhe Këshillin e Lartë Gjyqësor. Synimi është përmirësimi i normave dhe praktikave të vetingut për figurën e të zgjedhurëve jomagjistratë, të cilët vijnë nga radhët e avokatisë, shoqërisë civile apo botës akademike.

Në këtë kuadër, ashpërsohen kriteret për verifikimin e pasurisë dhe integritetit të kandidatëve. Procesi i parë i verifikimit të dokumenteve, i cili kryhet nga Avokati i Popullit, do të mbledhë informacione nga të gjitha organet hetimore, tatimore, etj., për kandidatët. Gjithashtu, propozimet plotësojnë një kërkesë të Prokurorit të Përgjithshëm për një rol më aktiv në përzgjedhjen e drejtuesve të prokurorive dhe shtimin e kritereve për vetingun e tyre. Një nga dispozitat thekson se “Në rastin e përzgjedhjes së kryetarit të prokurorisë konsiderohet edhe opinioni i Prokurorit të Përgjithshëm për kandidatin”.

Për magjistratët që kërkojnë të zgjidhen në krye të zyrave të prokurorive apo gjykatave, përveç vetingut të pasurisë dhe integritetit profesional, shtohet edhe “masa disiplinore në fuqi” si kriter përjashtues nga gara.

Relacioni shoqërues i projektligjeve sqaron se formulimet kanë dalë nga një proces i gjatë konsultativ mes grupit të punës të ngritur në Komisionin e Ligjeve që në vitin 2022 dhe pasqyrojnë komentet e ekspertëve të misioneve ndërkombëtare që asistojnë reformën në drejtësi, si Delegacioni i Bashkimit Evropian dhe OPDAT.

Dispozitat e reja kanë për qëllim gjithashtu t’i japin zgjidhje shqetësimeve të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë lidhur me mungesën e interesit të magjistratëve për të aplikuar për pozicionin e inspektorit. Relacioni propozon zgjatjen e periudhës së komandimit në 7 vjet dhe lejimin e magjistratëve të qëndrojnë të deleguar edhe pas përfundimit të mandatit të përgjithshëm 10-vjeçar, deri në 15 vite. Argumenti është se kjo do t’u mundësonte magjistratëve që janë afër daljes në pension, por që kanë arritur limitin dhjetëvjeçar, të zgjasin delegimin e tyre.

Në projektligj parashikohet edhe një “dispozitë kalimtare” për caktimin e kryetarëve të gjykatave apo prokurorive për periudhën tranzitore nga hyrja në fuqi e ligjit deri më 31 dhjetor 2028. Sipas kësaj dispozite, të gjithë magjistratët që ushtrojnë detyrën si kryetarë gjykate në juridiksionin e përgjithshëm dhe administrativ, si dhe drejtues të prokurorive pranë gjykatave të shkallës së parë dhe të apelit, konsiderohen automatikisht kryetarë dhe drejtues të emëruar. Kriteret për emërimin automatik përfshijnë kalimin e procedurës së vetingut dhe përmbushjen e detyrave me administrimin e institucionit.

Ndryshimet në transparencën e vendimmarrjes së Këshillave synojnë të adresojnë shqetësimin e mediave dhe shoqërisë civile në lidhje me mënyrën e publikimit të anonimizuar të vendimeve për vlerësimin profesional, pasi anonimizimi i emrave i bënte këto vendime të pakuptueshme. Relacioni shoqërues thekson se përmbajtja e ndryshimeve bazohet në vetë propozimet e institucioneve dhe pasqyron qëndrimet e fundit të ekspertëve ndërkombëtarë të misioneve EU-JUST dhe OPDAT.

Scroll to Top