Me apo pa Belinda Ballukun, deputetët e Partisë Socialiste mblidhen sot për një drekë festive në Berat.
Belinda Balluku duket se nuk do të “dorëzohet” në SPAK të paktën deri në fund të janarit. Kështu që socialistët po marrin kohë për të bërë edhe festat dhe pastaj, në varësi të asaj që do të vendosë Edi Rama, do të veprojnë.
Sot, Grupi Parlamentar i PS do të mblidhet për një drekë festive në qytetin e Beratit. Siç mëson Lapsi.al, nikoqiri i festës është ministri i Pushtetit Vendor, Ervin Demo, i cili mendohet të jetë edhe sponsori i këtij organizimi.
Ky organizim ishte planifikuar për ditën kur Gjykata Kushtetuese do të shprehej nëse do të merrte apo jo në shqyrtim ankesën e Kryeministrisë për pezullimin e Ballukut. Siç raportohej atë ditë, festa u shty me kërkesë të Ramës.
Ndërkohë, në festën e sotme nuk dihet ende nëse do të marrin pjesë Rama dhe e pandehura Belinda Balluku. Sidoqoftë, festë do të ketë edhe pa praninë e tyre dhe me siguri do të ngrihet ndonjë dolli për shëndet dhe pa telashe me SPAK.
