PS propozon ndryshime në Rregulloren e Parlamentit

Kryefjala e ndryshimeve të PS-së për Kuvendin: Shkurtohet koha e fjalës për deputetët

Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste ka paraqitur në Kuvend një sërë ndryshimesh në Rregulloren e Parlamentit, të cilat synojnë të përmirësojnë funksionimin e seancave plenare, punën e komisioneve dhe mbikëqyrjen e institucioneve. Megjithatë, një nga propozimet më të spikatura është ulja e kohës së fjalës për deputetët.

Sipas draftit të propozuar, në disa raste, koha e diskutimit gjatë seancave plenare do të reduktohet nga 10 minuta në maksimum 5 minuta, duke kufizuar kështu hapësirën për debatin parlamentar. Ndryshimet gjithashtu parashikojnë përshpejtimin e procesit të shqyrtimit të ligjeve që lidhen me integrimin europian. Projektligjet që synojnë përafrimin me legjislacionin e Bashkimit Europian dhe procesin e negociatave do të kalojnë me procedurë të përshpejtuar dhe do të përfshihen menjëherë në programin e punës së Kuvendit.

Paketa e ndryshimeve përfshin gjithashtu riorganizimin e komisioneve të përhershme, duke i reformuar ato dhe duke dhënë disa prej tyre një rol më të gjerë në monitorimin e institucioneve dhe trajtimin e nismave qytetare. Gjithashtu, propozohen mekanizma të rinj për raportimin periodik të institucioneve në Kuvend, si dhe rregulla më të detajuara për zgjedhjen dhe shkarkimin e drejtuesve të organeve kushtetuese apo atyre të krijuara me ligj.

Megjithatë, elementi që pritet të gjenerojë më shumë debat politik mbetet kufizimi i kohës së fjalës gjatë seancave, një ndryshim që prek drejtpërdrejt hapësirën e diskutimit dhe përplasjes politike në ambientet parlamentare.

Scroll to Top