Pas skandalit korruptiv, Partia Socialiste propozon “privatizimin” e tenderave të AKSHI-t.
Me firmën e një deputeti socialist, Kuvendi i Shqipërisë pritet të shqyrtojë një nismë ligjore që synon transferimin e tenderave të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) tek një shoqëri aksionere me pjesëmarrje publike dhe private.
Sipas projektligjit të depozituar në Kuvend nga deputeti i PS, Erjon Malaj, AKSHI nuk do të kryejë më prokurime dhe të lidhë kontrata për mirëmbajtjen e platformave dhe sistemeve dixhitale të vendit. Këto detyra do t’i kalojnë një shoqërie TIK (Teknologjia e Informacionit dhe Komunikimit), ku shteti do të zotërojë të paktën 51% të aksioneve.
Erjon Malaj, një deputet i ri në Kuvend, ka depozituar këtë projektligj pas hetimit të Prokurorisë së Posaçme, i cili zbuloi një grup të strukturuar kriminal në krye të AKSHI-t. Ky grup akuzohet se kontrollonte tenderat me vlerë dhjetëra milionë euro për infrastrukturën dixhitale të shtetit. Mes të akuzuarve përmenden biznesmeni Ergys Agasi dhe ish-drejtoresha e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj.
Megjithatë, praktika e ndryshimeve ligjore të diskutueshme përmes propozimeve të deputetëve socialistë nuk është e re dhe është përdorur disa herë gjatë legjislaturës së kaluar. Aktualisht, mazhoranca socialiste po orienton drejt menaxhimit me shoqëri aksionere publike-private në disa sektorë të ndjeshëm, përfshirë atë të mbrojtjes.
Projektligji kërkon shfuqizimin e disa dispozitave në ligjin “Për qeverisjen elektronike”, ku parashikohen kompetencat e AKSHI-t për prokurime të qendërzuara dhe lidhje kontratash për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e sistemeve IT. Gjithashtu, AKSHI-t i hiqet detyrimi për prokurimet e klasifikuara si “sekret shtetëror” dhe ato të tjera sipas kërkesave të institucioneve.
Për të kryer këto detyra, propozohet krijimi i një shoqërie aksionere, ku shteti zotëron të paktën 51% të aksioneve, e cila do të krijohet ose autorizohet nga AKSHI për zhvillimin, operimin dhe mirëmbajtjen e sistemeve, platformave dhe infrastrukturave të qeverisjes elektronike.
Në përcaktimin e funksioneve, AKSHI-t i mbeten vetëm kompetencat standardizuese teknike, arkitekturore të sistemeve, mbështetje teknike dhe monitorim i sistemeve të qeverisjes elektronike.
Sistemet, platformat apo infrastruktura e IT do të kalojnë në administrim të shoqërive operatorë TIK për qëllime zhvillimi, operimi ose mirëmbajtjeje. Institucionet publike përfituese do të paguajnë shoqëritë operatorë TIK në bazë të kontratave të shërbimit për mirëmbajtjen e sistemeve të tyre.
Normat shumë të larta të fitimeve neto në raport me të ardhurat janë një tipar dallues i subjekteve ekonomike që kanë përfituar prokurime publike nga AKSHI, një zyrë nën varësi të kryeministrit që merret me infrastrukturën dixhitale të shtetit. Drejtoresha e këtij institucioni, Mirlinda Karçanaj, u mor e pandehur për veprën penale të shkeljes së barazisë në tendera, kryer në formën e bashkëpunimit në kuadër të një grupi kriminal, së bashku me Ergys Agasin, Ermal Beqirin dhe disa persona të tjerë.
