PS rrëzon kërkesën e PD-së për projektligjin që ul çmimin e naftës deri në 180 lekë/litër
Partia Socialiste (PS) ka rrëzuar kërkesën e Partisë Demokratike (PD) për një procedurë të përshpejtuar miratimi të projektligjit që synon uljen e çmimit të naftës deri në 180 lekë për litër. Kërkesa e PD-së, e dorëzuar në Kuvend, kërkonte vendosjen e akcizës së ndryshueshme për lëndët djegëse. Sipas propozimit të PD-së, e gjithë TVSH-ja e akumuluar nga rritja e çmimit të karburantit do të shkonte automatikisht për uljen e akcizës së naftës.
Pas konfliktit në Lindjen e Mesme, çmimi i karburantit në vend është rritur ndjeshëm, duke vënë në lojë Bordi i Transparencës.
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, u shpreh në Kuvend se rritja e çmimit të naftës lidhet drejtpërdrejt me zhvillimet globale dhe jo me vendimmarrjen e qeverisë shqiptare. Ai theksoi se nafta është një mall burse dhe çmimi i saj përcaktohet nga tregjet ndërkombëtare, duke shtuar se Shqipëria furnizohet nga kompani të mëdha ndërkombëtare, si British Petroleum, të cilat operojnë mbi bazën e çmimeve të bursës.
Balla mbrojti rolin e Bordit të Transparencës, duke nënvizuar se ky mekanizëm ka dhënë efekt në stabilizimin e çmimeve, siç ka ndodhur edhe gjatë krizës pas luftës në Ukrainë.
Ai akuzoi opozitën se po e përdor çështjen për retorikë ditore dhe se projektligjet e propozuara do të diskutohen sipas kalendarit të miratuar me konsensus, konkretisht në datën 30.
Duke iu referuar akuzave se nafta në Shqipëri është më e shtrenjtë se në vende të tjera, Balla u shpreh: “Nafta është mall burse. Shqipëria sot blen në bursë. Kompania që e sjell në Shqipëri, British Petroleum është një ndër tre kolosët më të mëdhenj botërorë të naftës. Çdo ditë në mëngjes… British Petroleum që është furnizuesi kryesor i Shqipërisë sot, në çdo mëngjes shet me çmim burse.”
Ai vijoi duke pyetur retorikisht nëse është faji i qeverisë shqiptare që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë sulmuar Iranin, duke sjellë si pasojë bllokimin e ngushticës Hormuzit dhe rritjen e çmimit të naftës në bursë. Balla kujtoi mbështetjen për presidentin amerikan dhe dënimin e regjimit iranian dhe Gardës Revolucionare, duke shtuar se kjo nuk ka lidhje me diskutimin aktual.
“Bordi i Transparencës është një mekanizëm i përdorur edhe 4 vite më parë kur Rusia sulmoi Ukrainën, dhe padyshim që ka dhënë efektet e veta, por të gjitha këto ne do t’i diskutojmë kur të vijë diskutimi i këtij projektligji nga ana juaj,” tha Balla.
Ai sqaroi se nismat ligjore të opozitës do të votohen kundër, jo domosdoshmërisht sepse nuk kanë sens, por për arsye proceduralë dhe politike. Megjithatë, Balla nënvizoi gatishmërinë për të diskutuar nismat e PD-së, por jo me procedurën e përshpejtuar. Ai shtoi se qeveria ka nismat e veta dhe po bën punën e duhur për adresimin e krizës botërore të çmimit të naftës, duke konfirmuar se në datën 30 do të ketë diskutim për projektligjin dhe pozicionin zyrtar të qeverisë.
