Kremlini forcon kontrollin, Putin zgjeron kompetencat e FSB-së mbi internetin rus
Presidenti rus, Vladimir Putin, ka miratuar një ligj të ri që i jep agjencisë kryesore të inteligjencës së brendshme të Rusisë, Shërbimit Federal të Sigurisë (FSB), kompetenca të reja për të kontrolluar internetin brenda vendit.
Legjislacioni, i nënshkruar më 20 shkurt, është i fundit në një seri rregulloresh që forcojnë ndjeshëm aftësitë e autoriteteve për të kufizuar lajmet dhe informacionet brenda Rusisë. Masa e re, e miratuar më herët gjatë javës nga ligjvënësit, i jep FSB-së fuqinë të kërkojë nga ofruesit e shërbimeve të internetit – qoftë ata celularë apo me linjë fikse – të çaktivizojnë ose të kufizojnë qasjen në rastet “e përcaktuara nga aktet rregullatore ligjore të presidentit të Federatës Ruse”.
Ky veprim ia mundëson Putinit të vendosë vetë kur komunikimet online në nivel kombëtar ose rajonal duhet të ndërpriten, pa qenë i detyruar të japë arsye. Ai gjithashtu heq çdo përgjegjësi ligjore për ofruesit që zbatojnë këto urdhra.
“Vetëm presidenti mund të vendosë kufizime,” ka thënë Sarkis Darbinyan, avokat dhe aktivist i kahershëm i internetit, duke shtuar se dekretet presidenciale janë “edhe më të thjeshta sesa dekretet qeveritare”.
Në muajt e fundit, autoritetet ruse janë përballur me sfida në parandalimin e hyrjes së dronëve ukrainas në hapësirën ajrore ruse. Në shumë raste, dronët përdorin sinjale ruse të të dhënave për të fluturuar drejt objektivave, shpesh në distanca të gjata.
Autoritetet gjithashtu kanë ashpërsuar masat ndaj mjeteve të njohura të internetit, veçanërisht aplikacioneve të mesazheve si WhatsApp dhe Telegram. Të dy aplikacionet janë ngadalësuar ndjeshëm në kuadër të përpjekjeve të Qeverisë për t’i shtyrë qytetarët rusë të përdorin një aplikacion të mbështetur nga shteti, të quajtur Max.
Raportohet se Telegrami do të bllokohet plotësisht duke filluar nga 1 prilli. Kufizimet ndaj Telegramit kanë nxitur reagime nga blogerë që ndjekin nga afër lëvizjet e Rusisë në Ukrainë dhe që mbledhin fonde për njësitë ruse. Telegram përdoret gjerësisht edhe nga ushtarët rusë.
Rregullatori i teknologjisë, Roskomnadzor, e ka akuzuar Telegramin, të krijuar nga sipërmarrësi tashmë në mërgim Pavel Durov, për krijimin e një tregu për informacion të rrjedhur personal të qytetarëve rusë.
