Bullgaria ka njoftuar gatishmërinë e saj për të ofruar hapësirën ajrore për presidentin rus Vladimir Putin, i cili do të udhëtojë drejt Hungarisë për një samit të planifikuar me presidentin amerikan Donald Trump.
Kreu i shtetit rus do të zhvillojë një takim në Budapest me homologun e tij amerikan, Donald Trump, në një datë ende të papërcaktuar, me qëllim diskutimin e avancimit të një zgjidhjeje për konfliktin në Ukrainë. Këtë informacion e ka bërë të ditur Kremlini pas një bisede telefonike të zhvilluar javën e kaluar mes dy liderëve.
Duke u shprehur për transmetuesin publik bullgar BNR të hënën, ministri i jashtëm bullgar Georg Georgiev deklaroi se vendi i tij nuk do të vendosë asnjë pengesë. Ai shtoi: “Kur bëhen përpjekje për të arritur paqen, dhe nëse kushti për këtë është mbajtja e një takimi, është më logjike që një takim i tillë të organizohet me të gjitha mjetet e mundshme. Si mund të ketë një takim nëse njëra palë nuk është në gjendje të marrë pjesë?”.
Megjithëse Bullgaria nuk kufizohet drejtpërdrejt me Hungarinë, të dy vendet ndajnë kufi me Serbinë. Serbia mban lidhje miqësore me Rusinë dhe ka refuzuar vendosjen e sanksioneve ndaj Moskës. Ndërkohë, Hungaria është një nga pak vendet anëtare të BE-së që nuk e ka mbështetur bojkotin diplomatik të bllokut ndaj Moskës.
Në qershor, Budapesti njoftoi tërheqjen e saj nga Gjykata Ndërkombëtare Penale (GJNP), e cila në vitin 2023 lëshoi një urdhër arresti për Putinin, duke e akuzuar atë për krime lufte. Rusia, e cila nuk është palë në GJNP, e ka hedhur poshtë urdhër-arrestin si “ligjërisht të pavlefshëm”.
