Rusia e hapur për shkëmbim territoresh me Ukrainën? Putin insiston për Donbasin, por çfarë tjetër?
Presidenti Vladimir Putin ka lënë të kuptohet se mund të jetë i hapur për shkëmbimin e disa territoreve të kontrolluara nga forcat ruse në Ukrainë, por në këmbim kërkon tërësisht Donbasin. Këtë informacion e ka raportuar gazeta Kommersant.
Andrei Kolesnikov, korrespondent i Kremlinit pranë gazetës Kommersant, një nga mediat kryesore ruse, ka bërë të ditur se Putin i ka njoftuar biznesmenët më të rëndësishëm të Rusisë mbi detajet e këtij plani gjatë një takimi të zhvilluar në Kremlin më 24 dhjetor.
Sipas Kommersant, Vladimir Putin ka deklaruar se pala ruse është ende e gatshme të bëjë lëshime të ngjashme me ato të bëra në Anchorage, duke theksuar se “Donbasi është i yni”. Ai ka shprehur dëshirën për të marrë të gjithë Donbasin, ndërsa për zonat jashtë këtij rajoni, “nuk përjashtohet një shkëmbim i pjesshëm territoriesh nga pala ruse”, shkroi Kolesnikov në gazetë.
Nga ana tjetër, presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy, në një deklaratë për mediat të lëshuar nga zyra e tij të mërkurën, ka pohuar se delegacionet ukrainase dhe amerikane janë afruar më shumë drejt finalizimit të një plani prej 20 pikash gjatë bisedimeve të zhvilluara në Miami gjatë fundjavës. Megjithatë, Zelenskiy ka theksuar se Ukraina dhe Shtetet e Bashkuara nuk kanë arritur ende një marrëveshje lidhur me kërkesat që Ukraina të lëshojë pjesët e Donbasit që ajo ende kontrollon, apo për të ardhmen e centralit bërthamor Zaporizhzhia, i cili aktualisht ndodhet nën kontrollin e forcave ruse.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka shprehur vazhdimisht angazhimin për t’i dhënë fund konfliktit më vdekjeprurës në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore. Dërguari i tij, Steve Witkoff, si dhe dhëndri i tij, Jared Kushner, kanë zhvilluar negociata me Rusinë, Ukrainën dhe fuqitë evropiane.
Detajet e plota të propozimeve të SHBA-së nuk janë bërë publike, por zyrtarët rusë i janë referuar vazhdimisht “mirëkuptimeve” të papërcaktuara të arritura mes Putinit dhe Trumpit gjatë një samiti të zhvilluar në Anchorage të Alaskës në gusht.
