Qen blu misteriozë në Çernobil: Shkencëtarët në kërkim të shkakut

Misteri me “qentë blu” në Ukrainë, të parë pranë zonës së katastrofës bërthamore në Çernobil

Qentë me qime të ngjyrosura në blu janë vënë re për herë të parë pranë zonës së katastrofës bërthamore të Çernobilit në Ukrainën veriore, duke shkaktuar habi mes kujdestarëve dhe shkencëtarëve që kujdesen për kafshët.

Grupi “Qentë e Çernobilit”, i cili merret me kujdesin e kafshëve endacake në zonë që nga viti 2017, ka publikuar në rrjetet sociale pamje ku shfaqen disa qen me një ngjyrë të pazakontë blu, duke endur në Zonën e Përjashtimit të Çernobilit.

“Nuk e dimë ende shkakun, por po përpiqemi t’i kapim për të zbuluar se çfarë po ndodh,” thuhet në përshkrimin e postimit, ku sqarohet se ndryshimi i ngjyrës ka ndodhur kohët e fundit. Sipas kujdestarëve, qentë mund të kenë rënë në kontakt me një substancë kimike, por ata theksojnë se kafshët duken aktive dhe në gjendje të mirë shëndetësore.

Më 26 prill 1986, shpërthimi i njërit prej reaktorëve në centralin bërthamor të Çernobilit, pranë qytetit Pripyat, lëshoi në atmosferë sasi të mëdha materiali radioaktiv, ndërsa banorët u evakuuan me urgjencë. Qentë që shihen sot në zonë janë pasardhës të kafshëve shtëpiake të braktisura pas katastrofës, të cilët kanë jetuar dhe janë shumuar për breza të tërë në një ambient me nivel radioaktiviteti gjashtë herë më të lartë se ai që mund ta përballojë një njeri.

Një studim i vitit 2023, drejtuar nga Norman J. Kleiman, shkencëtar i shëndetit mjedisor në Universitetin e Kolumbias, analizoi materialin gjenetik të 116 qenve në zonë dhe zbuloi ndryshime të dukshme gjenetike krahasuar me qentë e tjerë në pjesën tjetër të Ukrainës. Sipas Kleiman, këto ndryshime sugjerojnë se kafshët kanë evoluar gjenetikisht për t’u përshtatur me mjedisin toksik ku jetojnë.

“Në njëfarë mënyre, dy popullata të vogla qensh kanë arritur të mbijetojnë në këtë mjedis jashtëzakonisht toksik,” shpjegoi Kleiman. Studimi identifikoi 52 gjene që mund të lidhen me ekspozimin ndaj ndotjes mjedisore në centralin bërthamor. Sipas autorit, ky hulumtim mund të ndihmojë në kuptimin e efekteve të ekspozimit afatgjatë ndaj rrezatimit dhe si mund të zbuten më mirë rreziqet shëndetësore për njerëzit dhe kafshët.

Scroll to Top