Rama i jep klubit të futbollit “Partizani” një repart ushtarak me kontratë 1 euro
Këshilli i Ministrave ka miratuar një kontratë qiraje me tarifë simbolike prej 1 euro për kalimin e një reparti ushtarak me një sipërfaqe rreth 12,690 metra katrorë në pronësi të shoqërisë “Partizani” sh.a.
Sipas vendimit, bëhet fjalë për pasurinë shtetërore me numër identifikimi 3/442, e cila njihet si “Reparti ushtarak nr.6010 (IGJIU), ish-RU nr.7030 (IGJU)” dhe ndodhet në zonën kadastrale 8110, në Tiranë.
Pronësia e kësaj prone mbetet formalisht shtetërore dhe nën administrimin e Ministrisë së Mbrojtjes, por ajo i jepet me qira shoqërisë “Partizani” sh.a., ku aktualisht drejtor është Olsi Rama, vëllai i kryeministrit.
Më parë, Partizani kishte një kontratë të ngjashme me 1 euro për 37,000 metra katrorë në të njëjtën zonë, të cilën e mori nga kryeministri Rama në vitin 2016. Aktualisht, Partizani renditet i pesti në kampionat me 29 pikë, pavarësisht mbështetjes qeveritare që duket se nuk i mungon.
Vendimi për shtesë dhe ndryshim në Vendimin Nr.183, datë 9.3.2016, të Këshillit të Ministrave, “Për dhënien e miratimit për lidhjen e kontratës së qirasë me tarifë 1 euro/kontrata, ndërmjet Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, si qiradhënës, dhe shoqërisë “Partizani”, SH.A., si qiramarrës, për pasurinë “Ambiente të pronës nr.4, me emërtim “Reparti Ushtarak nr.4030, Rruga “Myslym Keta”, Tiranë”, në administrim të Ministrisë së Mbrojtjes”
Në mbështetje të Kushtetutës dhe akteve normative në fuqi, Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin vijues:
- Pas pikës 1, shtohet pika 1/1, ku miratohet lidhja e shtesës së kontratës së qirasë me tarifë 1 euro ndërmjet Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit (si qiradhënës) dhe shoqërisë “Partizani”, sh.a. (si qiramarrës). Kjo kontratë lidhet për pasurinë shtetërore të paluajtshme nr. 3/442, e cila përfshin “Reparti ushtarak nr.6010 (IGJIU), ish-RU nr.7030 (IGJU)”, me një sipërfaqe totale prej 12,692.94 m², në zonën kadastrale 8110, Tiranë. Kjo pronë është në administrim të Ministrisë së Mbrojtjes.
- Në pikën 2 të vendimit origjinal, emërtesa “Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes” zëvendësohet me “Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit”.
Ky vendim hyn në fuqi pas publikimit në “Fletoren Zyrtare”.
