Qori i kundërpërgjigjet Veliajt: S’kam ndërmend të vjedh, nëse veproj si ti, le ta pësoj 100 herë më keq!
Arlind Qori, kryetar i Lëvizjes Bashkë dhe kandidat për Bashkinë e Tiranës, ka reaguar pas deklaratës së kryetarit aktual të bashkisë, Erion Veliaj, para Gjykatës Kushtetuese. Veliaj u shpreh se beteja e tij juridike po zhvillohet edhe për hir të kandidatëve të tjerë që synojnë të zgjidhen në krye të Bashkisë, duke përmendur Ogerta Manastirliu, Florian Tahirin dhe Arlind Qorin.
“Unë sa herë që më është kërkuar kam qenë i pranishëm. Po sikur tia bëjnë këtë Ogertës, Florit apo Arlindit, kjo është një betejë që po e bëj dhe për ta, do të krijonte një precedent të rrezikshëm”, tha Veliaj.
Në kundërpërgjigjen e tij, Arlind Qori ka theksuar se nëse zgjidhet kryetar bashkie, nuk do të veprojë si Veliaj. Ai ironizoi duke shtuar se “nëse çmendet dhe ndjek rrugën e Veliajt, duhet ta pësojë 100 herë më keq”.
Qori u shpreh:
- “Erion Veliaj ka deklaruar që betejën e tij me drejtësinë po e bën edhe për mua, nëse zgjidhem kryetar bashkie.
- Erion, unë nuk kam ndër mend të vjedh asnjë qindarkë.
- Nëse çmendem dhe bëj si ti, e pësofsha 100 herë më keq se ti!”
