Skandal në QSUT/ Ministrja Sala e pranon: Nuk bëhen analizat për të shtruarit
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Evis Sala, ka pranuar se në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT), pas datës 20, nuk do të jenë të mundur kryerja e analizave për pacientët e shtruar. Ky problem, sipas saj, vjen për shkak të mungesës së fondeve.
Ajo shtoi se po mblidhen të gjitha të dhënat, të cilat do të analizohen më pas për të përcaktuar mënyrën e adresimit dhe zgjidhjes së problemit.
“Aktualisht po vlerësojmë, kemi të gjithë të dhënat, dhe mbi bazën e këtyre të dhënave do të bëjmë një planifikim të mirë të shërbimit. Analizat nuk duhet të mungojnë dhe këtë situatë po e adresojmë dhe do ta zgjidhim brenda këtij viti,” tha ministrja.
