Sht. Nën 17th, 2018

Rama: 700 mësues ndihmës për fëmijët me aftësi të veçanta

TIRANË, 6 shtator.- “Kur ne filluam rrugëtimin tonë arsimi ishte në një situatë dramatike dhe për këtë ju jeni dëshmitarë. Zero ishte numri i mësuesve ndihmës për fëmijët me aftësi të veçanta. Ne hapin e parë e hodhëm me 300 mësues, ndërsa tani jemi gati të hedhim hapin e dytë me 700 mësues”, – deklaroi sot Kryeministri Edi Rama.

Gjatë një takimi të zhvilluar sot në Elbasan me mësuesit ndihmës për fëmijët me aftësi të veçanta, Kryeministri Rama, theksoi se “mësuesit ndihmës vijnë si rezultat për t’u kthyer njerëzve një pjesë të vogël të investimit të madh, që njerëzit kanë bërë duke i mbështetur reformat dhe duke i përjetuar nganjëherë edhe me dhimbje ato”.

Duke i cilësuar fëmijë me aftësi të veçanta, Kryeministri Rama tha se “këta fëmijë jo vetëm që nuk kishin mësues ndihmës, por kalonin në një rrugë që e bënte më të vështirë udhëtimin e tyre të jetës duke qenë bashkë me të tjerët në klasa, ku mësuesit e kishin të pamundur të merreshin me ata, ku dhe përjetonin situata deri dramatike e sigurisht dhe prindërit e tyre”.

Kreu i qeverisë u shpreh se “ne sot kemi mundësi të bëjmë më shumë se dje, për arsye se morëm një rrugë reformash të dhimbshme për shumëkënd, por të domosdoshme për të gjithë dhe mbi të gjitha të domosdoshme për fëmijët tanë”.

“Nëse reformat që ne kemi ndërmarrë, do të ishin ndërmarrë shumë vite më parë, ne sot nuk do të diskutonim reformën e librave falas, nuk do diskutonim mësuesit ndihmës, nuk do diskutonim shumë e shumë gjëra të tjera, por vonesa në ndërmarrjen e këtyre reformave, të jetuarit symbyllur përpara realitetit dhe të bërit politikë me idenë që ta shtyjmë për nesër punën e sotme, bëri që një gjeneratë, ajo e të lindurve në vitet ’90, të humbiste shanse të pafundme dhe vendi të humbte një kohë të pafundme”, – nënvizoi Rama.

Sipas tij, Shqipëria do të ishte krejt tjetër sot dhe mund të vazhdojë të jetë nesër, siç është sot dhe kjo është arsyeja që kur i bëjmë gjërat, mendojmë për Shqipërinë e fëmijëve nesër, jo thjesht për të konsumuar të sotmen.

“Ata që thonë u bënë, duheshin bërë, jo kaq shpejt , jo të gjitha menjëherë, bëjnë një gabim të madh, pasi është është njësoj si të thuash që kanceri duhet luftuar, por jo përnjëherë, nuk mundet, Kurat janë të vështira, por siç e shikoni kanë filluar të japin efekt dhe kanë filluar të na japin mundësinë t’ua kthejmë njerëzve me investime dhe me shpenzime në favor të tyre”, tha Rama. /k.s/r.e/

Kategori