Balluku “prish” festën e PS, prapaskenat e darkës që anuloi Rama
Ervin Demo kishte marrë përsipër të organizonte sonte një mbrëmje festive për fundvit për Grupin Parlamentar të Partisë Socialiste. Të gjithë deputetët kishin në axhendë një takim në një nga restorantet panoramike të Beratit për të festuar dhe kërcyer.
Megjithatë, planet u anuluan mbrëmë me ndërhyrjen e Edi Ramës. Sipas një burimi brenda grupit socialist, kryeministri ka kërkuar që darka festive të mos mbahet për shkak të vendimit që pritet të marrë sot Gjykata Kushtetuese lidhur me pezullimin nga detyra të të pandehurës Belinda Balluku.
Rama e ka ndaluar kategorikisht këtë aktivitet, pasi në të dyja rastet, pavarësisht vendimit të gjykatës, situata mund të interpretohej si gëzim i grupit. Nëse gjykata anulon pezullimin, do të dukej si festë për këtë fitore, ndërsa nëse e lë në fuqi pezullimin, do të interpretohej si gëzim kundër Ballukut.
“Pra, festë nuk do të ketë,” ka thënë Rama, i cili ndoshta e ka të vështirë të festojë pa praninë e krahut të tij të djathtë, Belinda Ballukut. Ai ka dashur të shmangë edhe çdo mundësi që ajo të mendojë se nuk po përballen së bashku me situatën.
Edhe në rastin kur Gjykata Kushtetuese do t’i japë të drejtë Ramës për pretendimin e tij, organizimi i festës me grupin parlamentar do të dukej si festim i një fitoreje karshi sistemit gjyqësor. Kështu, nuk do të ketë festë sonte në Berat dhe as ndonjë tjetër gjatë këtij viti.
Arsyeja kryesore për mosorganizimin e takimit të socialistëve është Belinda Balluku, zv.kryeministrja, e cila sipas artikullit, i ka lënë një “damkë të zezë” pushtetit, duke e degraduar atë nga skandalet e njëpasnjëshme dhe korrupsioni.
