Mër. Tet 17th, 2018

Rama: Çdo shpifje në gjyq, lekët në Fondin e Edukimit

TIRANË, 12 tetor. – “Çdo shpifje në gjyq dhe çdo lek i fituar nga një gjyq për shpifje, do të shkojë në Fondin e Edukimit”.

Kështu deklaroi sot Kryeministri Edi Rama, duke paralajmëruar se “asnjë ministër dhe asnjë deputet i Partisë Socialiste nuk do të tolerojë më asnjë shpifje”.

Kryeministri theksoi se “çdo shpifje të hedhur në drejtimin tonë nga kazani politik e mediatik, a qoftë edhe nga kazani i profileve zyrtare digjitale, ne do ta padisim në gjykatë”.

“Boll me përgënjeshtrime, boll me kundërpërgjigje, boll me debate televizive të sajuara për t’u bërë jehonë shpifjeve apo për të fituar audiencë e me zhurmën e fabrikës së baltës. Boll me këtë neveri që po helmon Shqipërinë dhe po rrënon çdo gur të themelit të edukatës e mirësjelljes qytetare, të cilin çdo familje e ndërton përditë me aq mund e durim për fëmijët e vet. Çdo shpifje në gjyq”, u shpreh Rama.

Kryeministri theksoi po ashtu se “çdo lek i fituar nga një gjyq për shpifje, do të shkojë në Fondin e Edukimit”. Ky fond, tha ai, do të krijohet prej nesh për të mbështetur çerdhet, kopshtet, bibliotekat e shkollave, nxënësit e mirë të çdo komuniteti, me libra, kompjutera apo materiale mësimore.

“Fondi i Edukimit, do të garantojë që paratë e ardhura nga gjyqet që do të bëjnë kryeministri, ministrat, deputetët, kryebashkiakët socialistë apo të tjerë veprimtarë të forcës sonë politike të gjendur përballë një shpifjeje, të shkojnë në destinacion, mbështetur në propozimin e fituesit të gjyqit”, nënvizoi Rama.

Fondi i Edukimit, sipas Kryeministrit, do të ketë një bord drejtues, të zgjedhur me propozimin dhe miratimin e mbledhjes së zgjeruar të grupit parlamentar e qeverisë. Ky bord, shtoi ai, do të trajtojë propozimet e lartpërmendura dhe është e vetmja instancë që mund të vendosë tërheqjen nga një proces gjyqësor për shpifje.

Po ashtu, Rama tha se “në Partinë Socialiste do të ngrihet menjëherë Departamenti Antishpifje, i cili do të koordinojë dhe ndjekë ecurinë e betejës sonë frontale ligjore kundër shpifjes”.

“Kazanpolitika dhe kazanmedia, s’mund ta kthejnë Shqipërinë në kazan. Shpifësit duhet të paguajnë dhe ne nuk do t’i kalojmë më në heshtje apo me reagime politike, fëlliqësitë e tyre. Çdo shpifje ndaj nesh, do ta kthejmë në të ardhura për Fondin e Edukimit”, tha Rama.

Kryeministri ngarkoi një grup pune, për përgatitjen e dokumenteve të themelimit dhe funksionimit të Departamentit Antishpifje dhe Fondit të Edukimit. Këto struktura, tha ai,  duhet të jenë operacionale, menjëherë pas kalimit në Kuvend të Paketës Antishpifje.

“Ky propozim është i hapur për kontributet e çdo pjesëtari të mbledhjes së zgjeruar, por edhe propozimet e çdo miku të këtij rrjeti social janë të mirëpritura”, tha Kryeministri.

Ai informoi po ashtu se, Këshilli i Ministrave do të diskutojë së shpejti projektvendimin për reagimin e detyruar ligjor ndaj shpifjes, të çdo institucioni apo enti publik në Republikën e Shqipërisë. /m.m//e.caushi/

Kategori