Rama publikon fotografi të bombave artizanale të hedhura gjatë protestës së opozitës: Ata janë e vetmja parti politike në botën demokratike që ushtron dhunë! Në zgjedhjet e ardhshme do të kenë një disfatë edhe më shembullore.
Data e publikimit: 11.02.2026
Kryeministri Edi Rama ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale lidhur me protestën kombëtare të Partisë Demokratike të zhvilluar ditën e djeshme, më 10 shkurt, para Kryeministrisë.
Kreu i qeverisë e ka cilësuar Partinë Demokratike si partinë e vetme në botën demokratike që ushtron dhunë në protesta dhe që, sipas tij, “i shkon mbrapa një tetëdhjetë e kusur vjeçari të damkosur e të lajthitur”.
Më tej, Rama shtoi se fati politik i Partisë Demokratike do të përcaktohet në zgjedhjet e vitit të ardhshëm, ku, sipas tij, demokratët do të përballen me një disfatë edhe më të theksuar se sa ato të mëparshmet.
“Sa për fatin politik të këtij cikli të ri të protestave në bulevard, ai do të shkruhet si zakonisht në zgjedhjet e vitit të ardhshëm me një disfatë ende më shembullore se sa të mëparshmet, ndërkohë që ne do të vazhdojmë pa u ndalur rrugën drejt Shqipërisë 2030 në Bashkimin Europian”, ka shkruar ai.
Rama ka publikuar gjithashtu fotografi të disa bombave artizanale, të cilat, sipas tij dhe policisë, janë hedhur gjatë tubimit nga ana e protestuesve drejt godinave qeveritare dhe efektivëve të policisë.
Ai deklaroi: “Këto janë bombat artizanale me të cilat janë sulmuar dhe djegur e plagosur mbrëmë punonjësit e policisë, nga e vetmja parti politike në botën demokratike që ushtron dhunë dhe e dyta në historinë e botës së tërë – pas asaj të famëkeqit Robert Mugabe të Zimbabves – që i shkon mbrapa një tetëdhjetë e kusur vjeçari të damkosur e të lajthitur!
Uroj që drejtësia të bëjë drejtësi për policët e plagosur dhe të ndëshkojë pa ngurrim bartësit e këtyre armëve me kapacitet vdekjeprurës!
Sa për fatin politik të këtij cikli të ri jashtënxjerrjesh në bulevard, ai do të shkruhet si zakonisht në zgjedhjet e vitit të ardhshëm me një disfatë ende më shembullore se sa të mëparshmet, ndërkohë që ne do të vazhdojmë pa u ndalur rrugën drejt Shqipërisë 2030 në Bashkimin Europian🇦🇱🦅🇪🇺”
