Rama & Ftesa për Bordin e Paqes: Propaganda vs. Realiteti

Nga pezullimi i vizave te Bordi i Paqes, Shqipëria në majat imagjinare të Ramës

Me një eufori që sugjeronte sikur Donald Trump po legjitimohej qeverisjen e tij, kryeministri Edi Rama njoftoi se ka marrë një “ftesë personale” nga presidenti Trump për të përfaqësuar Shqipërinë në Bordin e Paqes. Ky bord është një organizatë ndërkombëtare e ideuar nga Trump vetë.

Kryeministri Rama, duke u paraqitur si paqeruajtës global, e ka ngritur Shqipërinë në një “majë krejt të paimagjinueshme”, duke e kthyer në një vend të respektuar botërisht si asnjëherë më parë. Nëse ky lajm do të lexohej sipas mënyrës siç e ka paraqitur Rama, do të krijohej përshtypja se Tirana është kthyer në kryeqendrën e vëmendjes së Amerikës.

Në realitet, ky bord ka shumë emra dhe pak ndikim konkret. Ftesat “copy-paste” të dërguara nga Washingtoni zyrtar, të kujtojnë dekoratat e pafundme që shpërndante dikur ish-presidenti Ilir Meta. Ironia është se kjo “ftesë historike” vjen në një kohë kur marrëdhëniet reale Shqipëri–SHBA nuk janë as miqësore, aq më pak të lavdishme siç paraqiten në rrjetet sociale.

Pak ditë më parë, SHBA ka ngrirë aplikimin për viza për Shqipërinë. Kjo ngjarje ekspozoi qartë hendekun mes propagandës zyrtare dhe realitetit. Kjo pjesë, natyrisht, mungon në narrativën e kryeministrit.

Rama flet për partneritet strategjik me SHBA-në sikur të ishte një marrëdhënie personale, ku çdo gjë kalon përmes telefonatave dhe ftesave private. Por politika amerikane, sidomos ajo e Donald Trump-it, nuk funksionon me ndjenja, por me interesa shumë të ftohta.

Ky është aspekti që Rama nuk e thekson, por kush arrin të lexojë mes rreshtave e kupton mirë se interesi i Trump-it për Shqipërinë nuk ka të bëjë me ndonjë rol të Tiranës në botë, por me territore, pasuri dhe projekte konkrete.

Sazani, objekt i dashurisë me shikim të parë nga Ivanka Trump dhe bashkëshorti i saj Jared Kushner (i cili është gjithashtu pjesë e një bordi tjetër), përfaqëson pikërisht atë Shqipëri që i intereson një biznesmeni-president si Trump: tokë, det, potencial turistik dhe një shtet të vogël që ndjek vijën amerikane pa kundërshtime dhe pa kërkuar gjë në këmbim.

Për Ramën, sovraniteti dhe besnikëria gjeopolitike e Shqipërisë janë gjithnjë e më shumë në shitje, mjafton që çdo marrëdhënie politike të shitet si sukses personal. Edhe këtë ftesë për një bord paqeje, Rama e trajton si triumf kombëtar, edhe pse është e qartë se bëhet fjalë për një iniciativë ku Shqipëria është një nga shumë emra, jo ndonjë aktor kyç.

Kryeministri flet për “respekt e vlerësim të veçantë”, ndërkohë që e njëjta ftesë u shkon dhjetëra liderëve të tjerë, duke qenë një formalitet i rëndomtë. Është një kombinim pragmatik interesash: nga njëra anë projektet pompoze të Jared Kushner, nga ana tjetër Rama pozon në fotografi me Trump duke shitur me fjalë të mëdha Shqipërinë si pjesë e historisë botërore.

Kur diplomacia matet më shumë me superlativa sesa me rezultate, kur çdo ftesë rastësore shitet si epokale, rrezikojmë të mos dallojmë më se çfarë është vërtet interes kombëtar dhe çfarë është thjesht… një status i radhës.

Scroll to Top