Rama: Gjyqi Hagë pengmarrje, Osmani kërcënuar!

Rama në Prishtinë: Gjyqi në Hagë, pengmarrje politike, Vjosa Osmani u kërcënua!

Gjatë vizitës së tij në Prishtinë këtë të hënë, kryeministri Rama ka hedhur akuza të forta lidhur me procesin gjyqësor në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK-së). Ai ka zbuluar se Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është kërcënuar për të lejuar prokurorët të kërkojnë prova në zyrën e institucionit të presidentit.

Sipas Ramës, ky presion synonte të ndihmonte hetimin për krime kundër njerëzimit, të cilat ai i cilësoi si pjellë e një “maskarade”.

“Mund të jetë sekret shtetëror në Kosovë, por nuk është sekret shtetëror për mua që edhe Osmani është kërcënuar, dhe këtë gjë nuk e dini, se nuk është thënë asnjëherë, sepse nuk ka lejuar që prokurorët të dhunojnë zyrën e institucionit të presidentit, me pretekstin se do kërkonin provat e krimeve kundër njerëzimit,” tha Rama.

Rama shtoi se kërcënimi ndaj presidentes Osmani ka zgjatur për dy vjet, por ajo refuzoi të lejojë prokurorët të hynin në zyrën e presidentit, duke e bërë këtë për “nderin e saj dhe të Kosovës”.

Në të njëjtën kohë, Rama ka bërë thirrje për drejtësi për ish-krerët e UÇK-së në Hagë, duke kritikuar ashpër kërkesën e prokurorisë për dënime deri në 45 vjet burg për secilin prej tyre. Ai e ka përshkruar pretendimin e Zyrës së Prokurorisë Speciale si “një bombë të hedhur mbi popullin dhe mbi Republikën e Kosovës” dhe si një prokurori e padenjë që dështoi të sillte një provë të vetme për të mbështetur pretendimet e saj.

Rama ka argumentuar se nëse udhëheqësit e UÇK-së dënohen për krime të supozuara, atëherë duhet të ndërmerren edhe arrestime ndaj liderëve të vendeve perëndimore që miratuan bombardimet e NATO-s, si ish-Presidenti amerikan Bill Clinton, ish-Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Javier Solana apo ish-Kryeministri britanik Tony Blair. Ai e lidhi këtë me logjikën e drejtësisë ndërkombëtare dhe politikën e kohës së luftës në Kosovë.

Deklaratat e kryeministrit Rama u bënë në promovimin e librit “Kur heshtja flet” të autorit Ahmet Shala, akademik dhe ish-ambasador i Kosovës, që ka shkruar mbi gjykimin në Hagë kundër udhëheqjes së UÇK-së.

Scroll to Top