Masa sigurie shtesë / Këlliçi: Prokurorët e SPAK dhe të Ballukut kërcënohen nga Rama
Deputeti Bëlind Këlliçi ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se pas kërcënimeve publike ndaj SPAK, ka kaluar në veprime me natyrë mafioze. Sipas Këlliçit, vendimi për të shtuar masat e sigurisë për prokurorët e SPAK, pas fushatës së sulmeve të ndërmarra nga Rama, tregon qartë se “organizata më e madhe kriminale në vend, ajo e rilindjes, po vepron tashmë me metodat e saj mafioze”.
Ai thekson se shqetësimet nisën kur prokurorët iu drejtuan korrupsionit galopant dhe lidhjeve të qeverisë me krimin. Sipas tij, më parë nuk pati asnjë problem sigurie kur ndiqeshin drejtues politikë të opozitës.
Këlliçi thekson se kërcënimet kanë kulmuar tani me dosjen e Ballukut dhe hetimet që përfshijnë edhe kryeministrin. Ai paralajmëron se shtimi i masave të sigurisë për prokurorët, veçanërisht për Dritan Prençin, është një sinjal alarmi për situatën e vendit dhe për rrezikun real që ata përballen.
Ai thekson: “Çdo shqiptar e di sot se prokurorët e SPAK dhe ata që merren me aferat e tunelit dhe tenderat me qindra milionë euro, janë të kërcënuar nga Edi Rama. Është një moment vendimtar për Shqipërinë. Ky person duhet ndalur. Dhe vetëm qytetarët e kanë në dorë zgjidhjen. Më 10 shkurt është dita për ta treguar këtë. Bashkimi ynë në shesh, qëndresa jonë, është fundi i tij.”
