Rama kritikon gjykatat: Pavarësi e papërgjegjshme

Rama kritikon sërish gjykatësit: Kanë “pavarësi të papërgjegjshme”

Kryeministri Edi Rama ka vijuar me kritikat ndaj gjykatësve, duke iu referuar vendimeve të tyre lidhur me dëmshpërblimet për ish-prokurorë dhe ish-gjykatës të larguar nga procesi i vetingut. Sipas Ramës, këto vendime tregojnë se gjykatat gëzojnë një “pavarësi të papërgjegjshme”.

Në një status të publikuar në rrjetin social X, Rama shkroi se “deri më tani gjykatat kanë dhënë 92 raste në favor të atyre që janë pastruar nga vetingu, duke u shkaktuar buxhetit të shtetit një kosto financiare prej rreth 12 milionë Eurosh”. Kryeministri shtoi se këto dëmshpërblime janë marrë nga fondi i pensioneve.

Kritikat e Ramës ndaj ish-prokurorëve dhe ish-gjykatësve të larguar nga vetingu nuk janë të reja. Megjithatë, pas shpalljes në kërkim të Ergys Agasit dhe pas marrjes së Belinda Ballukut në cilësinë e të pandehurës, kryeministri ka filluar të sulmojë edhe gjykatësit e sistemit të ri të drejtësisë.

Statusi i plotë i Edi Ramës në rrjetet sociale:

“A e dini se gjykatat kanë dhënë deri më tani 92 raste në favor të atyre që janë pastruar nga vetingu, duke u dhënë një trajtim financiar prej rreth 12 milionë Eurosh nga buxheti i shtetit, pra duke i trajtuar jo si fajtorë, po si viktima që duhen dëmshpërblyer?! Akoma më keq, këto vendime gjykatash janë dhënë me urdhër ekzekutimi pa marrë vendimi formë të prerë (në Gjykatën Administrative të Apelit), duke e detyruar ISSH-në që nga fondi i pensioneve të kryejë pagesat për shkak të vendimit me ekzekutim! Dhe ndërkohë, radha për të marrë lekë nga taksat vazhdon edhe përtej këtij numri 92, që do të thotë se ato 12 milionët mund të shkojnë shumë më tepër… Kjo quhet pavarësi e papërgjegjshme!”

Scroll to Top